Grupet e punës me përfaqësues nga IKMT, IMT, Tatimet dhe Policia Bashkiake në Lezhë kanë nisur të evidentojnë rastet e zaptimit të hapësirave publike dhe ndërhyrjet me ndërtime pa leje në territorin e kësaj bashkie.
Për këto raste, është vendosur një afat 5-ditor për prishje vullnetare, në të kundërt ndërhyrja do të kryhet nga strukturat e IVMT dhe do të shoqërohet me masa administrative.
Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të bëhet evidentimi i të gjitha rasteve dhe ndërhyrjet do të nisin javën e ardhshme për subjektet që nuk veprojnë vetë.
Aktualisht, bashkia e Lezhës po vijon me procesin e njoftimeve dhe deri në fundjavë pritet të përfundojë evidentimi i plotë i ndërtimeve pa leje dhe hapësirave të zëna pa autorizim.