Arjan Hoxha, Sekretar i Shoqatës së Policëve në Lirim, ka qenë i ftuar në studion e lajmeve në Fax News ku ka komentuar situatën e kriminalitetit në vend. Hoxha tha se situata në Shkodër dhe në qytete të tjera është e kapur nga krimi dhe se Policia i ka duart e lidhura për të vepruar.
Edhe pse ka punuar për dy vite në policinë e Shkodrës, Hoxha tha se ai nuk ka emra të bandave në atë qytet, e megjithatë është dukshëm e qartë se krimi ka mburojë politike. Ndërhyrja e RENEA-s në Shkodër sipas Hoxhës është e tepruar, pasi kjo do të ishte masa e fundit, dhe nuk i është dhënë hapësirë policisë lokale.
Sipas tij situata do të jetë edhe më keq pasi vitin e ardhshëm vendi do të letë zgjehdje lokale, dhe shumë nga kriminelët do të ushtrojnë presion në qytetet e vogla.
‘’Renea është masa e fundit që mund të përdorë shteti përballë krimit, nuk mund të përdoren për të kryer kotrolle masive, që është detyrë e policisë lokale. Mund të hyjë Renea vetëm kur kemi të bëjmë me persona shumë të rrezikshëm, të cilëve nuk mund tiu bëjë ballë Policia e Shtetit dhe ajo lokale.
Unë nuk e di se ku e shikon ministri i brendshëm sigurinë, në një vend ku kriminelët arrijnë çdo rezultat të kërkuar kriminal. Nuk ka asnjë koordinim mes punës së policisë dhe punës së prokurorisë. Kur policia e shtetit është e dorëzuar përballë grupeve kriminele, çdo qytetar është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset. Krimi nuk njeh ngjyrë, nuk jep llogari se çfarë thotë qeveria dhe çfarë thotë opozita.
Unë nuk mund të them dot emra bandash sa kohë që nuk kam informacione të sakta, dhe për lidhjet e tyre me politikën. Drejtuesit e emëruar i shërbejnë politikës dhe jo rendit në qytet. Sado që të flasi me fjalë shumë të mëdha zoti Xhafaj rezultatin e shohim ne çdo ditë, ky qytetarët janë të frikësuar për sigurinë e tyre dhe të familjarëve. Me aq sa kam unë përvojë, puna e policisë nuk bëhet me fushata, po duhet të jetë e përditshme.
Nuk mund të themi prit shtatorin dhe do të shohësh se çfarë do të bëjmë ne. Nuk ka nevojë për deklarata as nga ministri dhe as nga drejtori, duhet punë dhe për qytetarët rikthehet besimi. Policëve nuk iu mungojnë specialistët e zotë, po nuk kanë dorë të lirë që të veprojnë mbi krimin.
Unë mendoj se do ketë një deformim të votës së zgjedhjes në vitin e ardhshëm, në qytete të vogla me 15 persona që kandidatët mund të mbajnë me vete mund që të trembin qytetarët. Në ndryshim nga ajo që ndodh në Tiranë, në zona të ngushta është më e lehtë që të ndikojnë kriminelët”, u shpreh Hoxha.
(E.K/FAXWEB.AL)