Policia e Tiranës ka bërë një sqarim lidhur me arrestimet e bëra pas finalizimit të fazës së dytë megaoperacionit “Tempulli”. Gjithsej janë lëshuar 24 urdhër arreste, nga të cilat janë zbatuar 19, ndërsa 5 persona janë shpallur në kërkim.
Mes të arrestuarve është dhe shtetasi Rezart Maqellara me detyrë shofer në Shërbimet Mbështetëse në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Policia sqaron se ky person nuk është shoferi i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Ditën e sotme, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në kuadër të fazës së dytë të megaoperacionit mbarëkombëtar “Tempulli 3”, arrestoi 19 shtetas ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndër të arrestuarve është dhe shtetasi R. M., me detyrë shofer në Shërbimet Mbështetëse në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Nisur nga disa publikime në media e rrjete sociale, sqarojmë median dhe opionin publik se ky shtetas nuk është shoferi i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
19 të arrestuarit nga megaoperacioni ‘Tempulli 3’ janë Kevi Hida, Durim Kurti, Orterio Vila, Hamza Firi, Florjan Gjuta, Vasjan Xhaferllari, Armando Xheladini, Osman Idrizi, Ledio Koçi, Mariglen Kushe, Kevin Hoxha, Rezart Maqellara, Matias Selmani, Ramazan Shima, Denis Guci, Rudina Dajlani (Sopoti), Elvira Bushaj, Ardi Shehu, Brisea Kallushi. Ndërkohë pesë persona të tjerë janë ende në kërkim. Nga aksioni në Tiranë janë sekuestruar 1.2 kilogramë kokainë, qindra doza heroinë dhe kanabis, 12 celularë, 5 automjete si dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera.