Në një përgjigje për agjensinë serbe të lajmeve Tanjug, selia e NATO-s në Bruksel shprehet se, qeveria e Kosovës nuk ka patur miratimin e saj për të ndërhyrë në veri të vendit për të ndalur trenin që po tentonte në Mitrovicë.
Por sipas saj, qeveria e Kosovës nuk është e detyruar të marrë leje për një veprim të tillë, shkruajnë mediat kosovare.
“KFOR-i nuk ka qenë i informuar për praninë e policisë së Kosovës ROSU në veri. Në pajtim me marrëveshjet aktuale dhe mandatin e KFOR-it (që dalin nga Rezoluta 1244 e OKB-së të vitit 1999), institucionet e Kosovës nuk janë të detyruara që të informojnë KFOR-in për të vendosur ROSU në veri të Kosovës”, tha për Tanjug zyrtari NATO-s nga selia e Aleancës në Bruksel.
Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk ka dhënë ndonjë koment ndaj pyetjes së Tanjug se, në bazë të garancive me shkrim që NATO i ka bashkangjitur në Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, është e nevojshme që policia apo forcat e tjera të armatosura të Kosovës të marrë miratimin e NATO-s dhe komunitetin lokal për të ndërhyrë në veri të Kosovës. (A.R/SHUPLAKA)
Discussion about this post