Nga një aksion i përbashkët i policisë janë arrestuar 58 persona dhe dhjetëra armë zjarri janë konfiskuar në Ballkanin Perëndimor.
Mes 27 dhe 29 Janarit, autoritetet e zbatimit të ligjit nga 19 shtete, përfshirë edhe Kosovën, së bashku me Frontex dhe Europol, bashkuan forcat për të goditur trafikimin e armëve.
“Gjatë një operacioni të përbashkët 3 ditor e koordinuar nga Qendra Operative e Europol-it në Hagë, janë kryer kontrolle fizike, kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Qendra Operative e Europol-it, ka qenë dëshmitare e shkëmbimit të informatave në mes të autoriteteve pjesëmarrëse lidhur me kontrollet në pikat kufitare të njerëzve dhe automjeteve, konfiskimet dhe hetimet e bëra. Rreth 246 000 subjekte janë kontrolluar nga vendet pjesëmarrëse, duke përfshirë 219 000 njerëz dhe 14 800 automjete”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Policia e Kosovës.
Po kështu në të shkruhet se si rezultat i veprimeve, janë konfiskuar 48 armë zjarri si dhe 833 copë municion, 4 granata dore dhe rreth 500 gram eksploziv plastik. “Përveç kësaj, ishte konfiskuar drogë në katër shtete, që arrijnë në rreth 505 kg marijuanë dhe 53 MDMA (substanca psikotropike). Po ashtu është parandaluar Kontrabanda e mallrave të tjera si 765 pako cigare, 0.8 kg duhan i pa përpunuar dhe një automjet të vjedhur”, shkruan komunikata.
Po këshi sipas saj në total, janë arrestuar 58 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe 127 persona iu ndalua të hyrja në pikat e ndryshme kufitare. “Përveç kësaj, institucionet e zbatimit të ligjit kanë identifikuar gjashtë përpjekje për hyrje klandestine, 12 raste të qëndrimeve përtej afatit kohor si dhe 8 raste të përpjekjeve të falsifikimit të vizave/dokumenteve”, sqaron komunikata e Policise se Kosoves.
Vendet pjesëmarrëse në këtë operacion ishin: Shqipëria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania e Madhe dhe SHBA -ja. (J.V/Shuplaka)