Një aksion i forcave të rendit është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër, ku mësohet se forcat Shqiponja dhe Renea kanë mësyrë në Dobraç.
Mirëpo edhe pse kanë kaluar disa orë nga aksioni nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ana e Policisë apo Ministrisë së Brendshme nëse ka persona që janë shoqëruar.
Ka pasur një shkëputje të energjisë elektrike në mënyrë që të favorizohej aksioni i policisë, po ashtu burime për Fax News bëjnë me dije se ka disa persona të shoqëruar, po ende nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për aksionin, dhe për identitetet e personave të dyshuar.
Vetëm në tre muajt e fundit në qytet kanë ndodhur gjashtë vrasje dhe dy persona rezultojnë të zhdukur. Shumica e ngjarjeve janë ende pa autorë dhe presioni i opozitës në drejtim të ministrisë së brendshme ka qenë shumë i madh.
Dy ditë më parë deputetët e PD-së dhe të LSI-së u zhvendosën në Shkodër për të bërë Kuvendin e tyre, pasi sipas krerëve opozitarë qytetarët e Shkodrës gjenden nën terror për shkak të ngjarjeve të fundit.
Vrasja më e fundit është ajo e të riut Arjan Ferracaku teksa ishte duke kalëruar me disa miq të tij në Livadhe. Ngjarja mbetet ende pa autorë dhe pse janë shoqëruar në polici më shumë se 15 persona.
Në Shkodër kreu i PD-së Lulzim Basha tha se në Dobraç fshihen një pjesë e mirë e kriminelëve që kanë tronditur Shkodrën , dhe fill pas deklaratës së tij në mbrëmjen e së hënës nisën kontrollet në disa lagje të qytetit, po ende pa asnjë person të arrestuar. Në ultimatum gjenden dhe drejtuesit lokalë të policisë, të cilët do të duhet që të shpëtojnë ‘’kokën” e ministrit të tyre, me finalizimin e suksesshëm të aksionit.
(E.K/FAXWEB.AL)
https://www.youtube.com/watch?v=vaBEFjckp8o&feature=youtu.be