Në zbatim të urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, Bashkia e Shkodrës ka intensifikuar operacionet në territorin e saj, duke kaluar nga zonat turistike malore si Thethi, në vetë zemrën e qytetit.
Prej disa ditësh, strukturat bashkiake po ndërhyjnë në disa prej zonave më problematike, ku ndërtimet pa leje ose zaptimet e paligjshme të hapësirave publike po pengojnë seriozisht qarkullimin, sidomos për mjetet e emergjencës si zjarrfikësit apo autoambulancat.
Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, janë identifikuar 41 pika kritike në rrugët e qytetit, ku ndërtime të ngritura që prej më shumë se 30 vitesh përbëjnë rrezik për sigurinë publike.
“41 pika kritike janë identifikuar në qytet, ku ndërtime të ngritura prej mbi 30 vitesh bllokojnë hyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Strukturat e Bashkisë ndërhynë në njërën prej tyre, pranë kryqëzimit të spitaleve, ku jo vetëm që mungonte hapësira për raste emergjente, por edhe banorët hasnin vështirësi në qarkullim,” – deklaroi Beci.
Ndërhyrja më e fundit është kryer pikërisht pranë kryqëzimit të spitaleve,një zonë me trafik të lartë dhe me prani të institucioneve shëndetësore ,ku pengesat strukturore përbënin një rrezik të drejtpërdrejtë për ndërhyrjet emergjente.
Krahas lirimit të hapësirave publike, Bashkia e Shkodrës ka planifikuar edhe masa për rikualifikimin urban të zonave të prekura, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe shmangien e çdo rreziku të mundshëm për banorët në të ardhmen.
Ky aksion është pjesë e një operacioni kombëtar, të mbështetur nga qeveria qendrore, dhe do të monitorohet nga ajri përmes përdorimit të dronëve, për të garantuar zbatimin e masave në mënyrë transparente dhe të pandikuar.
Operacioni do të vijojë në ditët në vijim në të gjitha zonat problematike të qytetit, ku autoritetet do të vlerësojnë çdo ndërtim apo zaptim që cënon qarkullimin e lirë dhe sigurinë publike.