Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar lidhur me sulmin në drejtim të prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi, duke thënë se familja e tij do të merret në mbrojtje të posaçme.
Sipas KLP-së ky sulm i papranueshëm në drejtim të Kuliçit synon që të intimidojë prokurorin dhe të cënojë punën e bërë nga organet e drejtësisë.
Mëngjesin e sotëm një sasi tritoli iu vendos makinës së Kuliçit, ndërsa shpërthimi shkaktoi panik te familja e tij, ngjarja po hetohet mbi pistën e ”ngjarje për shkak të detyrës”.
Njoftimi i plotë i KLP-së:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes. Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij.
Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës.
Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.
Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Z. Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit.
(E.K/Faxweb.al)