Ish-deputeti demokrat, Fatbardh Kadili e ka konsideruar si legjitime dhe të drejtë thirrjen e presidentit Ilir Meta për zhvillimin e një tubimi në bulevard më datë dy mars, ndërsa e konsideroi këtë datë si simbolike.
Kadili tha në studion e lajmeve të Fax News shqiptarët presin më shumë aktin që do të marrë Presidentit, të cilin e analizoj në tre shtylla të ndryshme se cili mund të jetë ai, se sa pjesmarrja e qytetarëve në tubim.
“Është e vërtetë se është luftë institucionale mes institucionesh që drejtohen nga njerëz real. Edi Rama ka kaluar gardhin e tij, ka hyrë në sistemin e drejtësisë por edhe ka kaluar edhe në kompetencat e Presidentit, që është thelbi ceremonial i këtij shteti. Nëse kemi vendosur se simboli i Republikës është Presidenti, dhe nëse ia heq këtë Presidentit tek një kioskë, tek një notere, kjo nuk shkon, i heq atij edhe funksionet simbolike. Është një përplasje institucionale dhe politike dhe është Edi Rama që ka kaluar kufijtë e tij. Kur ligji nuk i pëlqen është në gjendje ta ndryshojë ligjin”.
Sa mbështetje ka Presidenti në këtë tubim?
Kadili: Ata që i përgjigjen Presidentit nuk janë ata që do të dalin në shesh. E gjithë opozita është në mbrojtje të kompetencave të Presidentit, dhe jo të Presidentit në këtë rast të Ilir Metës. Forma se si e mbron Kushtetutën kjo është një zgjedhje personale, ajo që është e rëndësishme është mos shkelja e Kushtetutës. Zgjedhje ka pasur edhe në kohën e Enver Hoxhës, por nuk ishin demokratike, si ato që pamë më 30 qershor. Zgjedhjet duhet të jenë të ligjshme dhe demokratike. Ne mbështesim çdo iniciativë që mbron kushtetutën dhe rendin tonë Kushtetues. Nëse duhet zgjedhur një Kushtetutë tjetër, hajde ta zgjedhim. Ne jemi pjesë e tubimit, është një ngjarje e vogël për të mbrojtur kushtetueshmërinë, nuk diskutohet se sa më shumë njerëz shkojnë aq më mirë është por nuk është çështje numrash. Ne si opozitë nuk kemi problem numrat e protestuesve por qëllimi. Presidenti mund të kishte marrë akte të forta.
A është kjo një lëvizje e vonuar?
Kadili: Nuk mund ta them këtë gjë. Që para një viti e kemi quajtur gjysmë-parlament. Më shumë se sa pres se sa njerëz do t’i shkojnë Presidentit, unë pres aktin e Presidentit
Çfarë vendimi mendoni se do të marrë Presidenti më 2 Mars?
Kadili:Të marrë ato vendime që janë në kompetencat e tij. I rezulton si ngritjen e çështjes së referendiumit, hartimit të 2-3 ligjeve të tjera, apo shpërndarja e parlamentit, unë nuk imponoj kompetencat e tij, por aktet e tij që duhet të jenë të qarta dhe të prera. Duhet të ndajmë pjesmarrjen nga akti. Akti i tij do të tregojë shumë më tepër nga sa presin qytetarët.
Shihni ndonjë shkelje ligjore të Presidentit qoftë edhe në thirrjet që ka bërë për tubimin?
Kadili: Retorika i kalon kufijtë e asaj që është institucionale në politikën shqiptare. Kundërpërgjigja e Metës u interpretua sikur Presidenti po thërret grusht shteti. Ai nuk ka thënë hajde ti sulemi parlamentit apo kryeministrisë. Grusht shteti ka bërë qeveria duke rrëmbyer kompetenca që balancën mes pushteteve nuk duhen prekur, duhen vënë në ligj që të mos preken as në Kushtetutë.
Kjo lëvizje është parë edhe si një lloj ‘kërkese’ e Presidentit për t’u vënë në krye të opozitës
Kadili: Të spekulojmë në pikëpamjet private të Metës është çështje analize dhe opinioni që nuk e bëj unë, më intereson ana politike. Në Shqipëri në prodhojmë parlament dhe parlamenti prodhon ekzekutivin. Roli i Presidentit është kushtetues, dhe zhbërja e kompetencave tregon anim kushtetues. Nëse Meta ka në plan lëvizje politike, kjo është dytësore për ne. Ne kemi qenë edhe përballë tij, kur solli në pushtet Edi Ramën, kemi bërë edhe rezistencë. Nëse sot rastësisht është President dhe në të njëjtin pozicion me ne, kjo nuk ka të bëjë me Ilir Metën por me pozicionin tonë politik. Nuk e kishim në krah as në 2016 kur u bë dosja e Dibrës, as në 2017 kur ndejtëm në çadër poshtë dritares së tij. Sot jemi krah tij për ti vënë gardh egos së pambarim të Edi Ramës që kudo gjen pushtet e merr dhe e vendos kundër opozitës.
Mund të ketë ndonjë iniciativë të mazhorancës për ta bllokuar këtë tubim?
Kadili: Nuk e besoj, varet çfarë ngjyre i vendos një manifestimi. Më 2 Mars nuk do ferstojmë por do të shpallim një vullnet të caktuar. Ta cilësosh si një protestë kundër institucioneve kur nuk e kam dëgjuar në asnjë rast as nga Presidenti, as nga opozita, përkrundrazi do dëshmojmë kundër kapjes së insitucioneve, nëse Edi Rama do të bëjë edhe këtë, atëherë ky do ishte fundi.
Çfarë do të ndodhë pas 2 Masrsit?
Kadili: Nuk besoj se ka një ide për ta zgjatur, do të prodhojë një akt politik që nuk është i vetmi dhe i mjaftueshëm që dëshmon qëndrimin, çfarë inicitive merr dhe çfarë formule propozon. Deri sa ta fitojmë këtë përplasje do të bëjmë çdo lloj akti, sot e bën Presidenti, dje e bëri opozita. Brenda kompetencave kushtetuese, Presidenti do të marrë një akt politik, cili do të jetë? Do ta shikojmë me 2 Mars.
(F.GJ/FAXWEB.AL)