Nga data 28 mars në të gjitha kinematë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni do të shfaqet filmi “Dy gisht mjaltë” i cili ka bërë jo pak bujë.
Por pak para se të shfaqet filmi, producenti Ermal Mamaqi ka marrë dhe kritikat.
Kritika këto që vijnë nga miku i vjetër i Mamaqit, Ervin Bejleri.
Ai ka thënë se filmi është komercial dhe pa asnjë vlerë artistike.
“Është film komercial. Është film për të bërë lekë. Vlera artistike? Nuk e kemi parë ende. Stafi ishte shumë korrekt si ai teknik dhe ai produksional. Është një film komercial, për të bërë lekë po që për mua këto filma duhet të prodhohen pse jo? Ka nevojë publiku, ka nevojë populli. Italianët kanë vite që bëjnë këto lloj filmash’, shprehet aktori.
Ndërkohë që nuk ka vonuar shumë dhe përgjigja e Ermalit kundrejt ish-kolegut të ‘Portokallisë’.
“Vini është djalë shumë i mirë, është shoku im i vjetër që nga ‘Portokalli’. Fjala komerciale në shumë raste keqpërdoret. Ka një lloj imazhi të keq për gjërat që shiten, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vlerë”– përfundoi Mamaqi.
Në kastin e këtij produksioni ka shumë emra të njohur si Koço Devole, Marjana Kondi, Natasha Lako, Bujar Asqeriu, Ervin Bejleri, Rezart Veleshnja, Eglein Laknori e shumë të tjerë.
Do të shikojmë gjithashtu edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, teksa bën celebrimin e çiftit.