Aktorja e famshme amerikane Jane Fonda duket në formë të shkalqyer, edhe pse është 82 vjeçe. Ajo është marrë gjithë jetën me aktivitet fizik, por nuk u ka rezistuar dot as ndërhyrjeve kirurgjikale. Mirëpo, së fundmi ajo ka pranuar se do të heqë dorë nga operacionet plastike përfundimisht.
“Nuk do të bëj më operacione plastike. Nuk do t’i nënshtrohem më bisturisë. Më duhet të punoj çdo ditë që të jem e pranueshme për veten. Nuk është e thjeshtë për mua”, është shprehur Fonda për Elle Kanada, duke treguar se ky vendim nuk ishte aspak i lehtë për t’u marrë.
Fonda është treguar e sinqertë për sa u përket ndërhyrjeve plastike që ka bërë në të shkuarën. Siç është shprehur ajo, për të ishte e vështirë ta pranonte plakjen.
“U lodha duke u dukur e lodhur, kur në fakt nuk isha”, ka rrëfyer ajo, në një intervistë të mëparshme.
Ajo shprehet se mundohet t’i përdorë rrjetet sociale për të qenë sa më transparente rreth pasigurive të saj. Shumica e këtyre pasigurive kanë qenë si pasojë e periudhës në të cilën është rritur, kur gratë ishin në garë të ashpër me njëra-tjerën.