Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 4.032 ton marmaladë në pikën e Inspektimit Kufitar Hani i Hotit.
Produkti ushqimor ishte nisur nga Serbia me destinacion qytetin e Shkodrës. Produkti nuk plotësonte kërkesat ligjore pasi nuk ishte e konsumueshme për qytetarët.
Autoritetet zbuluan se marmalada në momemin kur ka hyrë në vendin tonë i kishte ngelur si afat përdorimi vetëm gjysma e jetëgjatësisë duke e bërë kështu një rrezik për qytetarët.
Për këtë shkak produkti ushqimor i llojit marmaladë është rikthyer në vendin e origjinës.
Njoftimi i plotë i AKU:
Nga kontrollet e kryera prej Drejtorisë Rajonale të AKU-së Shkodër në Pikën e Inspektimit Kufitar Hani i Hotit u konstatua një sasi prej 4.032 ton produkt ushqimor “Marmaladë”(e ambalazhuar në kova plastike 14 kg), e nisur nga Serbia me destinacion qytetin e Shkodrës, pasi në momentin e hyrjes në vendin tonë ” i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma (1/2) e jetëgjatësisë dhe për rrjedhojë nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në pikën 2 të Urdhërit Nr.250, datë 29.07.2011 “Mbi Disa masa për hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve ushqimore” dhe si e tillë nuk ishte e përshtatshëm për konsum human.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ngarkesa me këtë produkt ushqimor u kthye në vendin e origjinës.
Siguria ushqimore është prioritet i punës tonë dhe për asnjë rast nuk do të ketë tolerim ndaj abuzuesve.
AKU shprehet e gatshme për të mos lejuar asnjë praktikë në dëm të konsumatorëve duke nxitur zbatimin e ligjit dhe forcimin e masave parandaluese.