Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar në Korçë produkte ushqimore të pasigurta për konsum, ndërsa ka gjobitur subjektet të cilat janë kapur në shkelje.
Njoftimi i AKU-së:
Trupa inspektuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ka vijuar me kontrollet dhe monitorimet në qarkun e Korçës, në njësi të tregtimit të produkteve të mishit, mishit të pulës dhe të vezëve, ku janë konstatuar tregtim i ushqimit të pasigurt në mungesë gjurmueshmërie, etiketimi dhe ushtrim aktiviteti i papajisur me licencën përkatëse.
Nga kontrollet e ushtruara në subjektet me iniciale “A.M”, “A.L”, “E.M”, “K.I”, “A”, “A.I” dhe “G.B” ka rezultuar hedhja në treg e produktit mish pule, në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, manualit të vetëkontrollit, etiketimit, tregtim i ushqimit të pasigurt për konsum, produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi, si dhe ushtrim të aktivitetit i papajisur me licencë përkatëse.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese e AKU-së vendosi 15 masa administrative gjobë në vlerën 3,950,000 lekë, si dhe u krye bllokimi i sasisë prej rreth 104.39 kg produkte të ndryshme ushqimore dhe 7791 kokrra vezë të pasigurta për konsum.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i pranishëm në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore, duke siguruar dhe inkurajuar konsumatorët të jemi bashkë në këtë sfidë që është e secilit prej nesh.