Partia Socialiste po përgatitet për një padi të tretë ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një deklarate për shtyp, sekretari i përgjithshëm i PS-së Taulant Balla. ” Po vlerësojmë çuarjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda të një padie të tretë, në tre ditë, për gojën e tij të përdale totalisht pas vendimit të Këshillit Europian për datën e negociatave”, është shprehur Balla në deklaratën e tij për shtyp.
Deklarata e plotë:
Pas shpifjeve dhe ofendimeve të reja të Lulzim Bashës, tanimë drejtuar gjithë grupit parlamentar, ndërkohë që jemi të bindur se afera e eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht pasi të kapen autorët në kërkim (me të cilët lidhja e PD është antike ndërsa e Lulzim Bashës me ta është së paku fotografike), po vlerësojmë çuarjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda të një padie të tretë, në tre ditë, për gojën e tij të përdale totalisht pas vendimit të Këshillit Europian për datën e negociatave.
Është përditë e më e qartë se përfshirja në debatin e baltës e të llumit me të e me partinë e tij, thjesht na bën pis edhe ne duke lodhur e mërzitur shqiptarët. Ne do të përfshihemi më shumë me opozitën reale, e cila gjendet në territorin ku janë hallet e problemet e njerëzve.
Me opozitën reale që është mes njerëzve të zakonshëm që ngrenë zërin sa herë u japim mundësinë e kontaktit me ta.
Me opoziten reale që është në rrjetet sociale e mes grupeve të interesit që presin më shumë nga ne dhe kërkojnë më shumë prej nesh.
Ndërsa me Lulzim Bashën dhe esadistët e tij ne do të ndjekim gjithnjë e më shumë rrugën gjyqësore të përballjes me shpifjet e ndyra e më genjeshtrat ofenduese të tyre. Ata tanimë duhet të mësojmë të sjellin prova para publikut ose të turpërohen siç e meritojnë në sallat e gjyqeve.