Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot në Parlament se Agron Sojati i shkarkuar për shkelje nga detyra si drejtor i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, është emëruar në Kryeministri këshilltar kombëtar i Antiterrorit.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mithat Havari.
Përmes një postimi në Facebook, ai i jep të drejtë Berishës, ndërsa pyet edhe Ramën “S’e kuptoj përse kryeministri zgjedh zyrtar të tillë me probleme kur policia e shtetit ka zyrtarë të pastër dhe të aftë profesionalisht sa të duash?”.
“Dëgjova Sali Berishën tani live në parlament, i cili akuzoi kryeministrin se ka emëruar pranë kabinetit të tij këshilltar për sigurinë dhe luftën kundër terrorrizmit Agron Sojatin . Dr.Berisha ngriti akuza kundër Sojatit se është një oficer me dritëhije në karrierën e tij në policinë e shtetit, i larguar disa herë nga detyra me akuza deri në shpërdorim detyre . Unë e njoh Sojatin dhe akuzat e ngritura nga ish kryeministri janë të drejta. S’e kuptoj përse kryeministri zgjedh zyrtar të tillë me probleme kur policia e shtetit ka zyrtarë të pastër dhe të aftë profesionalisht sa të duash?!“, shkruan Mithat Havari.
Mit’hat Havari është një profesionist në Policinë e Shtetit. Ai mbahet mend për detyrat e tij kur drejtonte policinë në disa prej rretheve problematike në vend. Nga Elbasani ai u caktua në Berat, ku kujtohet për luftën kundër bandave në vitin 1997. Më tej, Havari u emërua në komisariatin e policisë në Shkodër, ku dhe u shënua një përplasje me armë, prej nga mbetën të plagosur rëndë dy prej punonjësve të policisë. Pas Shkodrës, emërimi i kryekomisarit u bë në Tiranë, drejtoria më e rëndësishme në shkallë vendi.
Më pas ai ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë Ndërtimore, ku njihet për aksionin kundër kioskave në Tiranë dhe kryesisht në Parkun Rinia. (A.R/SHUPLAKA)
Discussion about this post