Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku i Durrësit është vetëdorëzuar pasditen e sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas urdhër-arrestit që SPAK lëshoi për të, i akuzuar për shpërdorimin e detyrës.
Së bashku për Dakon, janë lëshuar urdhër-arreste dhe për 8 ish-zyrtarë të tjerë bashkë me ta, një biznesmen.
Akuzat që rëndojnë ndaj ish-kryebashkiakut nga Prokuroria e Posaçme, lidhen me përfshirjen në korrupsion, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Adhurim Qehajaj, ish-drejtori i Zyrës së Urbanistikës, është një nga emrat e tjerë të kërkuar prej SPAK-ut, sakaq emrat e ish-zyrtarëve të mbetur do të bëhen të ditur më pas.
Vangjush Dako akuzohet për një tender konsulence të bashkisë në 2014-2015, vlera e të cilit është rritur me 10-fish.
Gjithashtu dhe akuza për një pallat të ndërtuar pa leje, cili më pas u dëmtua nga tërmeti në 2019, ku është denoncuar prej banorëve të tij.
Në momentin e bërjes së ditur të urdhër-arrestit, Vangjush Dako mësohet se ka qenë në Tiranë, ndërkohë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u vendos dhe një tendë e bardhë për të bërë mbulimin e pamjeve të momentit kur ish-kryebashkiaku është vetëdorëzuar.
Urdhër arresti ndaj Vangjush Dakos, është firmosur rreth orës 15:00 nga Gjykata e Posaçme. Kërkesa e prokurorit Sotir Kllapi është pranuar nga gjykata për Dakon.
Kujtojmë se Vangjush Dako në vitin 2019 është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku i është ndaluar hyrja në SHBA së bashku me anëtarët e familjes së tij.
Burime bëjnë me dije se avokati i Dakos, do të jetë Petrit Ismaili.
(Xh.H/FaxWeb)