Analisti Dritan Hila ka deklaruar se PD shpresën e ka që të arrijë një rezultat sa më të mirë që të mundësojë aleancat, dhe jo të shkaktojë përmbysje.
Ai thotë se premtimet për një republikë të re nuk janë të besueshme sepse në një republikë parlamentare përmbysja rrënjësore nuk ndodh. Sipas tij ata që e kanë besuar ose kanë qenë shumë entuziast ose të leshtë.
Hila shprehet se Lulzim Basha me zgjedhjet që ka bërë po krijon ekipin e tij dhe llogarinë për suksesin apo jo do ta paguajë vetë Basha.
Ky është grupi që do t’i mundësojë Bashës 4 vitet e ardhshme, thotë ai. Berisha ka vendosur njerëzit e tij mbizotërojë të zgjedhurit e Bashës, ka deklaruar Hila për Dritare.Net
DEKLARATA E PLOTË:
Tashmë ngjan rutinë që partia që humbet pushtetin duhet të presë tetë vjet të rikthehet. Katër të parat i duhen të dezintoksikohet nga drejtimi i vjetër dhe katër të dytat të pregatisë ekipin që do qeverisë.
Nëse do të funksiononim si në perëndim, atëhere loja do të ishte ndryshe: krahas ekipit që qeveris rritet edhe një ekip tjetër i cili merr frenat direkt pas humbjes. Por jo tek ne. Edi Ramës ju deshën katër vjetët e para të priste që të mbaronte turni i ekipit që la Fatos Nano në parlament, pastaj të pregatiste një gjysëm të vetin, dhe vetëm në 2013 të bënte ekipin personal, për të arritur në herën e katërt që të mbretërojë në grupin e deputetëve.
Lulzim Bashës ju desh të trashëgonte një grup të formësuar nga Sali Berisha. Ishte rradha e fundit e doktorit të demokratëve dhe ai shfrytëzoi rastin për të bërë nderet e fundit, të kërkonte faljet e vonuara dhe pregatiste orët e tij të mbrame në politikë. Kjo është hera e parë kur Lulzim Basha pregatit grupin e tij. Do të ishte naive të mendoje se ky është grupi i Republikës së Re, një sllogan po aq i ngjashëm sa ai i MAGA që sajohen për të mbajtur të karikuar turmat. Nuk ndodh në një republikë parlamentare që të ketë përmbysje rrënjësore dhe kush ka besuar, ose ka qenë tepër entuziast ose tepër i leshtë.
Ky është grupi që do ti mundësojë Lulzim Bashës katër vjetët e ardhshme. Patjetër që Doktori ka vendosur disa njerëz të tij si valvula sigurie, por janë njerëz të Bashës ata që mizotërojnë.
Nga formatimi i tij, shumë janë ata që e akuzojnë se nuk është grup i fitores. Ka të ngjarë që nuk është ky grup edhe për faktin se janë të panjohur. Por PD shpresën e ka që të arrijë një rezultat sa më të mirë që të mundësojë aleancat, dhe jo të shkaktojë përmbysje.
Shumë prej tyre janë figura të reja që nuk thonë asgjë. Por ky nuk është difekt vetëm i PD. Madje PD është e fundit në këtë rrugë. Kush i njeh figurat e PS apo LSI?
Handikap tjetër është qenia e tyre jo profesionistë të politikës. Por si janë punët në Shqipëri, të njohur të bën menjëherë promovimni nga kryetarët. Edhe ata që ikën, shumica janë investim direkt i Berishës që dikur i mori nga anonimati politik.
Ka kohë që ky sistem kërkon një reformim të plotë të tij. Por këtë nuk do ta bënte as Basha nga çadra dhe as gazetarët nga Rogneri. “Italianëve ju pëlqen të flasin për lirinë nga shtrati i dashnoreve”, iu përgjigj sarkastik ato mote gjenerali i revolucionit francez që quhej Napoleon kërkesës së të dashurës së tij italiane që ti jepte lirinë Italisë. Shqiptarët i kërkuan Bashës të bënte republikë të re, e ti dilte kundër botës pa thyer një vazo me lule, ashtu si grekët u zhgënjyen nga Tsipras pse ky nuk refuzoi Gjermaninë pa prekur kontot e tyre bankare. Të kuptohemi, Basha nuk është Tsipras. Madje Tsiprasit shqiptarë ndryshojnë rrugës sepse nisen për majtas dhe përfundojnë në qendër, nisen në luftë dhe përfundojnë në restorant, nisen kundër sistemit dhe përfundojnë duke bërë allishverishe me bizneset. Ndaj nuk kemi pse kërkojmë shenjtin apo revolucionarin tek Basha. Ai po përpiqet të mbijetojë në një terren ku bullizmi politik është modë. Nëse do të kishte një meritë ky grup parlamentar që ka iniciuar, është bërthama e një të djathte moderne, me fytyra paqësore, pa atavizmat e antikomunizmit të harruara gjithandej në Evropë, dhe me shpresë që të bëhet një parti populiste. Nëse do ja dalë apo jo, këtë e presim në 25 qershor dhe 4 vjetët që vijnë. Llogarinë do ta paguajë gjithmonë Lulzim Basha. (B.H/Shuplaka)