Bojkoti i avokatëve ka bërë që dy zv-drejtorët e Drejtorisë Vendore të Polisë Elbasan Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, edhe pse u paraqitën në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë, të mos u komunikohet.
Dy ish-zyrtarët e policisë pritet të qëndrojnë nën masën e arrestit të shtëpisë, deri në një vendim të dytë nga ana e gjykatës.
Prokurorë të cështjes janë Ritvan Sukaj dhe Platin Aliçka, ndërsa gjyqtar Taulant Tafa.
Zv.Drejtori Albert Nushi i pyetur nga mediat nuk u prononcua, e vetmja gjë që ai artikuloi ishte se nuk ishte njohur me masën e sigurisë.
Dy zëvendës drejtorët akuzohen për shpërdorim detyre pasi ka dyshime se nuk ndërhynë në ngjarjen e 21 prillit ku mbeti viktimë mjeku Pjerin Xhuvani.
Roli i Nushit dhe Pallës:
Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, 2 ish- zv.drejtor i Policisë së Elbasanit kanë dhënë dëshmi të rremë lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve, pas një sherri mes grupeve rivale, të PD dhe PS.
Rezulati ka dalë në përfundim të hetimeve që kanë zgjatur më shumë se 1 vit, nga vrasja që tronditi opinionin publik, për këtë arsye ato janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar nga gjykata masa e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’.
Rezulton se të dy kanë shpërdoruar detyrën, sepse nuk kanë marrë masa për të parandaluar vrasjen, si dhe kanë dhënë deklarime të rreme, duke dhënë fakte të ndryshme mbi ngjarjen. Ndërkohë, 6 efektivë të tjerë të Forcave ‘Shqiponja’ janë pezulluar nga detyra. Më konkretisht Dedjon Duraku, Pëllumb Bicaku, Erjon Balla, Erjon Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu të cilët po ashtu kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Albert Nushi dhe Nikollaq Palla kanë qenë të parët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, atëherë kur kishte nisur konflikti verbal mes Strukturës së Armatosur të PD-së dhe Pjerin Xhuvanit. Kjo strukturë pretendonte se Xhuvani po blinte votat në favor të PS-së, prandaj kishin njoftuar policinë. Më pas, përplasja me armë nisi në sy të Nushit dhe Pallës. Në dëshminë e publikuar më herët në media, ato kanë dhënë sqarime se si nisi konflikti i armatosur.