Ditën e sotme Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë që të verifikojë të kaluarën e Kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj.
Sipas PD-së ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.
“Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO” – theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Pas kësaj ka reaguar menjëherë kryebashkiaku i Mallakastrës, i cili u shpreh nuk është ndaluar në asnjë rast në shtetin grek.
“Unë s’kam asnjë lloj dijenije, jam shumë i hapur për çdolloj verifikimi. Nuk jam ndaluar në asnjë rast në shtetin grek. Unë kam motrën në Greqi, dhe ka pasur problemet e veta familjare, vaftisi djalin, dhe kam shkuar para dy javësh në shtetin grek, pa asnjë lloj problemi”, u shpreh Qerimaj.
Por çfarë ka deklaruar konkretisht kryebashkiaku në formularin e dekriminalizimit?
Sipas formularit të dekriminalizimit, ai ka pohuar se periudhën 1998- gusht 1999, pra vetëm 1 vit, ka jetuar në Mitilini, Greqi. Ndërsa po në po të njejtin vit, 1999, ai është rikthyer në Shqipëri dhe ka punuar deri më11.10.2000, si mësues i lëndëve histori-gjeografi në shkollën 8-vjeçare Çorrush-Mallakastër.