Pas urdhër ndalimit të lëshuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ish-nënkryetari i komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku është dorëzuar në polici.
Kështu ka konfirmuar për Nacionale, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.
“Po po është dorëzu”, ka thënë ai shkurtimisht për Nacionale.
Përndryshe Prokuroria ka kërkuar paraburgim për djalin e Nuredin Lushtakut, Arbër Lushtakun dhe vëllain e tij, Faton Lushtaku të cilët ngarkohen me veprën “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit ndaj djalit të Nuredin Lushtakut, Arbër Lushtaku dhe vëllait të tij Faton Lushtaku.
Po ashtu Prokuroria ka kërkuar ndalim për Nuredin Lushtakun por i cili deri me tani nuk ështa hasur nga policia.
“Mitrovicë, 04 korrik 2022 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë.
Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim. Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale.”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia e Kosova ka dhënë detaje për rastin e plagosjes së policëve në Skenderaj ku i përfshirë ishte edhe ish-nënkryetari kësaj komune, Nuredin Lushtaku.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka dhënë detaje në raportin 24 orësh dhe veprën e ka cilësuar si “sulm ndaj personi zyrtar”.
Sipas policisë deri të incidenti ka ardhë pasi policia shqiptoi gjobë për kundëvajtje në trafik dhe pastaj të dyshuarit kanë sulmuar dy zyrtarët policorë.
“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR Skenderaj 02.07.2022 – 23:55. Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngajrjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar”, thuhet në raportin e PK-së.
Ndërkohë, Lushtaku ka mohuar se ka pasur dhe përdorur armën. Ai pretendon se polici Enver Smakiqi ka gjuajtur pa asnjë arsye në drejtim të kolegut të tij.
“Më vjen keq për gjithë çfarë ka ndodhur mbrëmë, në përfshirjen në një inicident krejtësisht të panevojshëm, ku pasoja kanë mundur të jenë edhe me të mëdha për faktin e veprime abnoramle dhe agresive të policit Enver Smakiqi. Polici Smakiqi pa asnjë arsye ka përdorur armën mbrëmë dhe ka plagosur kolegun e tij, derisa qëllim cak kishte vëllaun tim Faton Lushtaku”, thotë ai për Gazetën Blic.
Megjithatë, këto zëra i mohoi Inspektorati Policor i Kosovës.
Përmes një komunikate konfirmoi se pas konsultimit me autoritetet relevante arritën në përfundim se asnjë prej zyrtarëve policorë nuk ishte i dyshuar.
“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Inspektoratit Policor.
Në anën tjetër, ky rast nxit reagime të shumta në rrjete sociale.
Anëtarë të shoqërisë civile reaguan duke thënë se sulmi ndaj policëve është sulm ndaj shetit.
Po ashtu një reagim erdhi edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila dënoi ashpër dhunën e Nuredin Lushtakut ndaj policëve.
“Turp të qoftë Nuredin Lushtaku. Me e sulmu policinë e Kosovës duhet të jetë e papranushme në çdo rrethanë. Shpresoj që institucionet të reagojnë në zbatim të ligjit. Banditizmat e tilla nuk duhet të normalizohen. Askush mbi ligjin. Pikë.”, ka shkruar ajo.