Shtyhet për më datë 16 Maj seanca ku do të paraqiten konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë së Fierit ndaj të pandehurit Dritan Zagani, i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës.
Zagani ka deklaruar publikisht se nuk u ka raportuar eprorëve të policisë pasi dyshonte se ata ishin të lidhur me trafikantët dhe mund të dekonspironin hetimet. Ai ka akuzuar publikisht si te lidhur me trafikun e drogës ish-ministrin Tahiri dhe drejtuesit e lartë të policisë.
Mësohet se shtyrja e seancës ka ardhur për shkak të mosmbërritjes të vendimit të Gjykatës së Vlorës lidhur me çështjen ku Dritan Zagani u akuzua për largimin nga vendqëndrimi, kur ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë arrest shtëpiak.
Në vendim do të sigurohen të dhenat për periudhën kur Dritan Zagani ishte nën arrestin shtëpiak, të cilat do të përllogariten për kërkesën e masës së dënimit ndaj tij.
Në Gjykaten e Fierit Zagani po gjykohet për veprën penale shpërdorim detyre, pasi dyshohet se në dy raste nuk ka raportuar tek eproret për hetimet që ka kryer ndaj trafikut të drogës dhe ka bashkëpunuar me një shtetas të huaj, një oficer italian. Sipas prokurorisë, duhej të kishte vepruar në bazë të procedurave dhe rregullores së detyrës së tij, por Zagani ka vepruar i vetëm dhe ka bashkëpunuar me oficerin italian.
Në të dyja rastet droga është kapur, por sipas hetimit të kryer më parë nga Prokuroria për Krime të rënda dhe më pas nga prokuroria e Fierit, Zagani nuk ka vepruar sipas legjislacionit shqiptar dhe rregullores së detyrës së tij, duke bërë që hetimet e prokurorisë për krime të rënda të dështojnë në zbulimin e personave të tjerë që bashkëpunonin me personat që janë kapur me lëndë narkotike.
(E.K/FAXWEB.AL)