Komuna e Plavës dhe ajo e Gucisë cilësohen ndër territoret me shpërngulje më të lartë të shqiptarëve në Mal të Zi. Statistikat tregojnë se më shumë se gjysma e popullsisë gjendet në emigrim, gjë që ka ndikuar që disa fshatra të kësaj zone të boshatisen ose të kenë një numër shumë të vogël banorësh.
Zyrtarë dhe analistë shprehin shqetësimin se vazhdimi i një shpërngulje të tillë do të jetë me pasoja afatgjate për të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi.
Sipas Zërit të Amerikës shkaqet kryesore të kësaj shpërngulje nga këto troje janë papunësia, gjendja e vështirë ekonomike dhe diskriminimi politik. Kjo dëshmohet më së miri edhe nga banorët.
“Mërgata është plaga më e madhe për banorët e kësaj treve. Në këtë fshat dikur kanë ekzituar 60 deri në 70 familje. Këtu është edhe shkolla që kanë mësuar mbi 80 nxënës të ndara me 4 paralele mësimore. Tani kanë ngelur vetëm 12 nxënës. Brenga është që prej disa vitesh nuk dihet nëse do të ekzistojë më kjo shkollë. Rinia e cila jeton këtu nuk i ka kushtet për jetesë. Nuk e gjen mënyrën e jetesës këtu. Punësimi është problemi më i madh “, shprehet Shaban Hasangjekaj, analist.
“Kjo është tragjike për Plavën dhe Gucinë, shpërngulja është e madhe, për shembull në Vuthaj është një përqindje shumë e vogël që jeton këtu brenda”, shprehet një këshillar në komunën e Gucisë, Ahemet Gjonbalaj.
Kjo dukuri është e pranishtme edhe sot dhe po ndikon edhe në tkurrjen e territoreve dhe shpopullimin e tyre nga shqiptarët. (J.V/Shuplaka)