Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se numri i të prekurve me fruth që nga fillimi i vitit e deri më tani është 51 raste. Sipas ISHP-së, grupmosha më e prekur është nën 2 vjeç dhe pjesa më e madhe e rasteve të konfirmuara i përkasin kryeqytetit.
Më tej në një njoftim në rrjetet sociale, Instituti i shëndetit Publik bën me dije se vazhdon vaksinimi sipas kalendarit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç.
“Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se vazhdon vaksinimi sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç. Po ashtu edhe vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pavaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth”.
ISHP-ja bën thirrje që të vaksinohen të gjithë fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës.
“Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit”, thuhej më tej në njoftim.