Hotelet, lokalet me “muzikë live” dhe qendrat e masazheve janë disa nga vendet ku zhvillohet prostitucioni në Kosovë. Kjo është bërë një situatë shqetësuese për autoritetet vendase. Mjaft interesante është edhe një nga ofertat për punësim në këto vende, ku kusht i vetëm është të jesh femër.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për Lajmi.net se në disa raste janë evidentuar kur në sallone masazhi janë kryer edhe veprimtari të kundërligjshme si mundësim dhe marrje me prostitucion.
“Vetëm në periudhën kohore janar-nëntor 2017 nga DHTQNJ e PK-së, janë kontrolluar gjithsej 146 lokale, prej tyre 37 janë mbyllur me vendim të inspektorëve për shkak të gjetjes së parregullsive gjatë ushtrimit të aktiviteteve”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, përgjegjësia për verifikim të dokumentacioneve, licencimin dhe plotësimin e kushteve për ushtrim të veprimtarisë, bie mbi ato institucione që janë kompetente për dhënien e lejeve të punës dhe përcjelljen e veprimtarisë.
“Ne mbesim të përkushtuar për bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse që kanë përgjegjësi për mbikëqyrjen e veprimtarisë së këtyre bizneseve të cilat kohëve të fundit janë gjithnjë e në rritje, gjithashtu zotohemi në trajtimin sa më profesional të të gjitha atyre rasteve ku dyshohet se kryhen veprimtari që bien ndesh me ligjet pozitive të Republikës së Kosovës”, është shprehur Hoxha. (J.V/Faxweb)