900 punonjës të Albacall kanë kërcënuar se do të nisin grevat duke bojkotuar punën, pas një vendimi të njëanshëm të kompanisë call center për t’u shkurtuar 30 për qind pagën mujore.
Që prej datës 3 qershor 2019, mes Alba Call dhe 900 punonjësve të saj ka nisur një përplasje e cila pritet të përshkallëzohet në grevë.
Shkurtimi i pagës mujore me 30 për qind, duke iu hequr të gjitha bonuset, ka irrituar operatorët të cilët tashmë përveçse tërheqjes së këtij vendimi, i kanë kërkuar kompanisë dhe plotësimin e 8 pikave të tjera që kanë lidhje me kushtet dhe të drejtat e tyre në punë. Në rast të kundërt do të nisin grevat pa afat. Faxweb.al mëson se deri më tani këtë peticion e kanë firmosur 522 punonjës.
Konflikti
Një email i mbërritur nga drejtuesit e Alba Call tek të gjithë punonjësit e saj, ka qenë shkëndija e ndezjes së një marrëdhënieje të vështirë mes qindra punonjësve dhe kësaj kompanie.
Heqja e bonusit i cili jepet për performancën në punë ka irrituar qindra punonjës të cilët kanë nënshkruar kontrata personale me kompaninë, ku nuk parashikohet reduktimi i pagës dhe sidomos me vendime të njëanshme.
Shumë prej tyre kanë telefonuar klientët më të mëdhenj të Alba Call duke i vënë në dijeni për masën e reduktimit financiar.
Si një masë hakmarrjeje, siç e cilësojnë punonjësit kompania ka thirrur një mbledhje Inspketoratin e Punës dhe një përfaqësi prej 20 operatorësh.
Në fund të mbledhjes Inspektorati i Punës ka lënë disa detyra për kompaninë, por pa i dhënë zgjidhje ndërhyrjes drastike në pagë me pretendimin se bonuset nuk përfshihen në kontratat e punës. Gjithashtu grupi i punës i ka lënë disa detyra kompanisë.
Të pakënaqur, 522 firmëtarët janë shprehur se do ta marrin situatën vetë në dorë duke zhvilluar greva të herëpashershme gjatë orarit të punës deri në plotësimin e 9 pikave të parashtruara.
Deklaratë për media rreth situatës së punëtorëve të kompanisë Albacall:
Që prej datës 3 qershor 2019, operatorët e kompanisë Albacall kanë nisur në formë të organizuar kundërshtimin e një rregulli të ri të nxjerrë rishtaz nga kompania, i cili penalizon një pjesë të konsiderueshme të punëtorëve të kësaj kompania nga një pjesë e pagës që u është dhënë gjithmonë dhe pa kushtëzime specifike.
Ky rregull i kompanisë del pa paralajmërim, funksionon me prapaveprim dhe është në shkelje me ligjin. Ulja e rrogës në mënyrë të njëanshme është abuzim me të drejtat themelore të punëtorëve. Situata ekonomike e operatorëve të prekur nga ky vendim është dëmtuar ndjeshëm. Shtojmë këtu faktin që shumica e këtyre operatorëve janë me një kohëzgjatje disa-vjeçare pune në këtë kompani, e shumë prej tyre janë familjarë e kryefamiljarë.
Si rezultat i këtij problemi, që nga ajo datë, 522 operatorë të kësaj kompanie kanë firmosur një peticion me disa kërkesa që kanë të bëjnë kryesisht me shkelje të Kodit të Punës, por deri më sot asnjë përgjigje pozitive nuk është marrë nga kompania.
Ne i jemi drejtuar gjithashtu të gjitha instancave shtetërore, kompetente për situata të tilla, por edhe aty nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje përveçse zvarritjes burokratike dhe delegim kompetencash e fajesh nga njëra palë tek tjetra. Të gjendur në situatë pa rrugëdalje, ne kemi vendosur që të bëjmë publik problemin tonë, për t’i informuar të gjithë aktorët paraprakisht, për madhësinë dhe seriozitetin e problemit tonë.
Njoftojmë gjithë opinionin publik se ne, të bashkuar, do ndjekim të gjitha hapat e nevojshëm për të arritur deri në plotësimin e pikave të këtij peticioni, të cilat janë jo vetëm ligjore, por edhe plotësisht legjitime.