Kryetari i Lëvizjes për Vetëvendosje, Albin Kurti i ka nisur sot një letër Isa Mustafës, kreu i LDK-së ku i kërkon të garojnë pa kryeministër të paravendosur dhe cila parti që do të marrë më shumë deputetë do të përzgjedhë kreun e qeverisë së ardhshme në Kosovë.
Albin Kurti në letrën e tij thekson faktin se LDK nuk është konsultuar për çështjen e kryeministrit/es së ardhshme të paszgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.
LDK pak ditë më parë përzgjodhi Vjosa Osmanin, si kryeministren e ardhshme, nëse koalicioni LDK dhe LVV do të fitonin zgjedhjet parlamentare të përkohshme, të cilat erdhën si rezultat i dorëheqjes së kryeministrit Ramush Hardinaj dhe rënies së qeverisë së tij, pas thirrjes nga Haga.
Kurti letrën që ia ka nisur Isa Mustafës e ka bërë publik në Facebook
Letra për koalicionin tonë që ia dërgova z.Isa Mustafa
I nderuari Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa,
E di që ne pajtohemi se Kosova është shtet i dobët sepse është shtet i kapur.
Sot, çkapja e shtetit nga mujsharët shpërdorues, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është nevojë jetike dhe urgjente për Kosovën si dhe pritja themelore e qytetarëve të Republikës. Po ashtu, sjellja e investimeve në ekonomi, zhvillimi që rrit punësimin, nuk janë të mundura pa çlirimin e prokurorisë dhe gjyqësorit nga Klani Pronto.
Sot, koalicioni parazgjedhor i dy subjekteve tona është ajo që dëshirojnë dhe shpresojnë qytetarët tanë. Në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit 2017, LAA fitoi 29 deputetë kurse LVV 32 deputetë. Ne atëherë i kishim së bashku 61 deputetë. Dalja e AKR-së nga LAA atëbotë e formoi qeverinë e PAN-it. Po u bëmë ne bashkë, efekti i sinergjisë është i garantuar dhe do të mund t’i arrinim 70 deputetë nga zgjedhjet e reja dhe qeverisje stabile.
Në ofertën time të tetorit 2018, nuk jeni përgjigjur, mirëpo, ndërkohë kemi pasur takime e komunikime të rregullta e konstruktive. Bashkëpunimi opozitar LVV-LDK ka qenë faktor i rëndësishëm, mbase vendimtar, i shpëtimit të Kosovës nga pazaret territoriale me Serbinë. Hapat e bashkërenduar opozitar duhet t’i avansojmë në projekt të përbashkët për qeverisje të mirë.
I ngelur pa përgjigje për ofertën time të kahmotshme për bashkëqeverisje me LDK-në, vendimin e kryesisë së LDK-së për kandidatin e partisë suaj për kryeministër e mësova nga mediet. Takimet tona kanë qenë partneritet vleror. Kjo u ndryshua me fakte të njëanshme partiake që neve na u hodhën fytyrës.
Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.
Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicionin tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.
Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.
Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm.
Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.
Duke shpresuar në përgjigjen tuaj pozitive, pranoni përshëndetjet tona.
Me nderime,
Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 30 gusht 2019