Historiani Jusuv Buxhovi në një intervistë telefonike me Fax News, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, ku dy partitë fituese në zgjedhjet e Tetorit nuk kanë mundur që të krijojnë dot qeverinë.
Buxhovi tha se Vetëvendosjes i takon përgjegjësia më e madhe në krijimin e qeverisë, dhe sipas tij Albi Kurti po i frikësohet detyrimit për të drejtuar vendin.
“U votua për ndryshimin, dhe iu takon të dyja palëve që të krijojnë qeverinë. Zoti Kurti e di fort mirë që nuk mund ti përmbushë në asnjë kusht ato që ka premtuar në fushatën zgjedhore, qeverisja është diçka tjetër, në poklitikë duhet të jesh pragmatist, do të jetë gjynah për Kosovën, që nuk arrihet një marrëveshje. Barra do ti biejë në radhë të parë Vetëvendosjes, e cila është zgjedhur e para nga populli”, u shpreh Buxhovi.
Historiani dhe politologu tha më tej se kjo situatë mund të shfrytëzohen nga PAN dhe Hashim Thaçi, për të marrë sërish pushtetin përmes zgjedhjeve të parakohshme.
“Kurti ka dhënë përgjegjësi shumë të mëdha, me Bashkimin Kombëtar, që mund të jenë pazare gjykatash, dhe ajo çka mund të ndodhë vërtetë, e presin bisedimet me Serbinë dhe me Bashkimin Europian. Elektorati ka votuar për ndryshime, dhe nuk është korrekte, që përgjegjësia të lidhet me një post presidencial, që mund të diskutohej me njëmijë formula të tjera.
Kurti e din që ka çështje që mund ti ngecin në dorë. Po e përsëris dhe njëherë që nëse shkohet në zgjedhje Hashim Thaçi me PAN mund ta shfrytëzojnë këtë situatë për të sjellë në pushtet. Zgjedhjet e parakohshme nuk do të sillnin asnjë ndryshim në ndarjen e deputetëve. Kurti e ka të pamundur që të marrë më shumë se 50% të votave”, tha më tej Buxhovi.
Ndërkohë që lidhur me refuzimin e Kurtit për të takuar Thaçin, Buxhovi tha se kjo është loja e liderit të Vetëvendosjes, që të konsumojë 14 ditët që ka në dispozicion për të realizuar marrëveshjen.
“Kurti duhet të respektojë institucionin e presidentit, pasi tregon një papjekuri dhe largon elektoratin prej tij. Ajo që ka fillu dje, jo po vij, jo nuk po vij, është e gjitha pjesë e lojës. Duhet të shfrytëzohen këto 14 ditë për të pasur një marrëveshje mes palëve, Kurti kërkon që parlamenti të shpërbëhet, dhe të justifikohet duke thënë se këto pengesa nuk e lejuan që të vinte në pushtet. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, Kurti ka për ta humbur kryesimin në zgjedhje”, u shpreh më tej historiani.
“Unë personalisht do të doja që të kishte marrëveshje, të kishte një largim nga skena politike të të vjetërve, por numrat nuk të lejojnë për të bërë lojëra. Sjellja që ka bërë Vetëvendosje, duke zgjedhur në mënyrë të njëanshme kreun e Kuvendit, ka treguar se kjo forcë politike nuk po punon për të kryer një marrëveshje. Në këtë drejtim LDK ka qenë mjaft korrekte dhe mfta e matur, ka kërkuar që kjo marrëveshje të mos jetë pjesë e thashethemeve në media”, deklaroi më tej Buxhovi.
Lidhur me rolin e ndërkombëtarëve, Buxhovi tha se ata e kanë kërkuar qartë se janë pro ndërtimit sa më parë të qeverisë, por nuk mund të bëjnë asgjë më shumë lidhur me këtë situatë.
(E.K/Faxweb.al)