Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit [AQMB] ka marrë dijeni për planet iminente të qeverisë për transferimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit tek AADF-ja përmes Fondacionit të ashtuquajtur të Posaçëm të Menaxhimit të Butrintit [FMB]. Shqiptarët ndodhen përpara transferimit të pashembullt të një pasurie publike me vlerë të jashtëzakonshme monetare, pa përfshirë vleftën e pallogaritshme shpirtërore e si pjesë e trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar me vlera të jashtëzakonshme universale.
Kujtojmë këtu se qysh në mars 2020 Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Paris i kërkonte qeverisë shqiptare të kuantifikonte vlerën në natyrë që do të kontribuonte tek FMB-ja, përkundrejt 5 milion dollarëve që AADF-ja do të investonte për Qendrën e Vizitorëve. Edhe për vetë UNESCO-n ishte më se e qartë se, në ekuacionin e koncesionit të Butrintit, kontributi në natyrë i shtetit shqiptar përbënte pjesën dërrmuese të fondit të themelimit, krahasuar me kontributin e hiperbolizuar të AADF-së.
Mirëpo as kjo kërkesë e UNESCO-s nuk mori asnjëherë përgjigje.
Në seancën publike të nëntorit 2023 në Gjykatën Kushtetuese të gjithë shqiptarët panë se si përfaqësuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit u zotuan publikisht se, duke filluar nga janari 2024, KLSH-ja do të ndërmerrte një auditim të thelluar dhe të plotë të Parkut Kombëtar të Butrintit. Kjo bazuar në Planin Vjetor të Auditimit të KLSH-së për vitin 2024, dhe do të përfshinte auditimin e vlerës si pasuri të patundshme të objekteve të paçmuara të kulturave ilire, romake, helenistike, bizantine, otomane dhe të epokës së sotme në Butrint.
Mirëpo ende sot, më 31 tetor 2024, nuk ka asnjë informacion se KLSH-ja vërtet e ka përmbushur zotimin e saj përpara popullit shqiptar, si dhe detyrimin e saj kushtetues dhe ligjor.
Më tej, para ca ditësh ministri Blendi Gonxhja deklaroi se për tre muajt e fundit Parku Kombëtar i Butrintit ka mbledhur si të ardhura nga shitja e biletave rreth 800,000 Euro, shifër kjo e barabartë sa mblidhte Parku gjatë kryesimit të ministries së kulturës nga zonjat Kumbaro dhe Margariti. Edhe këto fonde të konsiderueshme publike, ende të paaudituara, do t’i transferohen shumë shpejt të ashtuquajturit Fondacion për Menaxhimin e Butrintit.
Nga gjithë sa më sipër, del e domosdoshme dhe urgjente që Kontrolli i Lartë i Shtetit të çelë menjëherë procedurën e auditimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, pasurive të jashtëzakonshme që pritet të transferohen, si dhe të departamenteve përkatëse në ministrinë përgjegjëse për kulturën.
Auditimi i KLSH-së do të përcaktonte vlerën dhe gjendjen e saktë aktuale sa i takon përputhshmërisë, ligjshmërisë, rregullshmërisë, menaxhimit financiar, kontabilitetit, si dhe ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit të administrimit të pasurisë dhe fondeve publike apo shtetërore në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Ky hap i domosdpshëm i KLSH- lyp edhe një kontroll të plotë dhe të thelluar të të gjitha aspekteve financiare e ekonomike të vetë Planit të Menaxhimit të Integruar, të miratuar me VKM-në nr. 583, dt. 21.07.2020, si dhe çdo plani, prognoze apo dokumentacioni financiar të mëpasshëm.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit thekson se ndërhyrja urgjente e KLSH-së bazohet në dispozitat kushtetuese që rregullojnë Kontrollin e Lartë të Shtetit, gjegjësisht në Nenin 163.c të Kushtetutës [veprimtaria ekonomike e personave juridikë në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve dhe të aksioneve…], si dhe në dispozita të tjera.
Përfshirja e ngutshme e KLSH-së mbështetet edhe në Nenin 6.2 (fushat e mbulimit), Nenin 10.b e 10.c (të ardhura publike, fonde publike, pronë publike apo shtetërore) të të njëjtit ligj, si dhe si dhe Nenin 10.ë (koncesionet), duke pasur parasysh që rregullimi i ri ligjor për Parkun Kombëtar të Butrintit është në thelb një formë koncesionare sipas ligjeve në fuqi, edhe pse shprehimisht nuk quhet e tillë.
Theksojmë së fundmi se roli i domosdoshëm kontrollues e audites i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Butrint është njohur dhe konfirmuar përfundimisht edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Bazuar në sa më sipër, dhe para së gjithash në riskun veçanërisht të lartë me të cilin ballafaqohet kjo pasuri shtetërore/publike, posedimi, kontrolli dhe menaxhimi i së cilës parashikohet t’i transferohet këto ditë një fondacioni privat, Aleanca Qytetar për Mbrojtjen e Butrintit i bën thirrje publike Kontrollit të Lartë të Shtetit që të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur procedurën e auditimit të plotë dhe të thelluar të pasurisë shtetërore/publike të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Aleanca Qytetare për Mbrotjen e Butrintit
Tiranë, më 31 tetor 2024
Discussion about this post