Aleatët e Partisë Demokratike, të përfaqësuara nga kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kanë prezantuar paraditen e së premtes propozimin e tyre për krijimin e një federate opozitare e cila synon të shprehë mendimin e unifikuar të pakicës në Parlament.
Mediu theksoi se opozita, vetëm e bashkuar mund të ndryshojë realitetin politik në Shqipëri.
Aleatët e PD-së propozuan institucionalizimin e federatës së opozitës nën moton “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, një Shqipëri europiane.”
Federata e opozitës pritet që të ketë një emër, një program politik dhe një logo.
Pyetjes nëse këto propozime i kanë konsultuar edhe me kreun e PD, Lulzim Basha, Agron Duka, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste u shpreh se Basha ashtu edhe Berisha i kanë dëgjuar propozimet e tyre, pasi ai vetë ka dalë dhe ka folur në disa media në lidhje me këtë çështje.
“Iniciativë është e jona. Dhe Basha dhe Berisha i kanë dëgjuar propozimet tona. Kemi shpresë, se do i thërrasin arsyes dhe të lënë menjanë hallet individuale dhe të bashkohen për një qëllim të përgjithshëm” tha ndër të tjera Duka.