Zyrtarët amerikanë besojnë se sulmet ajrore ndaj dhjetëra zonave të lidhura me Iranin në Siri dhe Irak, si hakmarrje për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë, ishin të suksesshme dhe paralajmëruan sulme të tjera shtesë.
Aleatët e Shteteve të Bashkuara i mbështetën veprimet e Uashingtonit, ndërsa Irani, Iraku dhe Siria shprehën zemërim në një kohë shqetësimesh për përhapjen e konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme. Britania e Madhe dhe Polonia lëshuan deklarata në mbështetje të sulmeve amerikane, duke thënë se SHBA-ja ka të drejtë të përgjigjet ndaj sulmeve dhe i paralajmëruan përfaqësuesit e Iranit në rajon se “ata po luajnë me zjarrin”.
Teherani tha se i dënon “fuqishëm” sulmet ajrore amerikane.
Presidenti amerikan Joe Biden kishte paralajmëruar ndërhyrje të pashmangshme, pasi një sulm me dron në bazën amerikane në Jordani i vrau tre ushtarë amerikanë më 28 janar. Uashingtoni fajësoi Iranin për këtë dhe për furnizimin me armë të milicive në rajon. Raportohet se forcat amerikane i goditën disa lokacione, katër në Siri dhe tri në Irak.
“Përgjigja jonë filloi sot. Do të vazhdojë në vendet dhe në kohët që ne zgjedhim”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një komunikatë pak pas fillimit të sulmeve.
“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt në Lindjen e Mesme, apo diku tjetër në botë. Por, ata të cilët mund të kërkojnë të na bëjnë dëm neve, ta dinë këtë: Nëse e lëndoni një amerikan, ne do të përgjigjemi”, tha Biden.
Të shtunën, një zëdhënës i Qeverisë britanike i dënoi veprimet e dyshuara të Iranit në rajon duke i cilësuar ato si “destabilizuese” dhe e përsëriti miqësinë e “palëkundur” të Londrës me Uashingtonin./ REL
Discussion about this post