Nga Enver Bytyçi –
Hashim Thaçi bëri para pak ditësh një vizitë në Republikën e Turqisë. Ai u takua me homologun e tij turk, Rexhep Taip Erdogan dhe në prani të tij deklaroi se “çdokush që është terrorist në Turqi, është edhe në Kosovë”, duke transferuar konfliktin e brendshëm politik të Ankarasë në Prishtinë. Ndërkohë si kompensim i kërkoi presidentit turk që të ndërhyjë te presidenti rus, Vladimir Putin, për të realizuar një vizitë zyrtare të tij në Kremlin. Të dyja këto deklarata ishin të papritura, të pamenduara, të pamençme, të panevojshme, të ngutshme, të dëmshme, të rrezikshme dhe të frikshme për Kosovën dhe vendin që ajo ze e duhet të zëjë në mesin e kombeve të qytetëruara e të civilizuara euro-atlantike. Ishtë sinjali më i keq i mundshëm për ardhmërinë e vendit, sepse me deklarata si kjo Kosova humbet mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s e të Bashkimit Europian, të cilat kontribuan fuqishëm për lirinë e pavarësinë e vendit, gjë të cilën e përmendi gjithashtu ambasadorja e RF të Gjermanisë në Prishtinë.
Ishtë njëkohësisht një deklaratë që bie në kundërshtim me sakrificat e vetë Hashim Thaçit si dhe të bashkëluftëtarëve të tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse me veprime të tilla Kosova mund të humbasë aleatët e saj të natyrshëm e të fuqishëm në Europë dhe SHBA. Ishte një pozicionim i pakuptimtë përkrah politikave autoritare e autokrate të dhunës së presidentit turk brenda vendit të tij. Madje më tej, pro politikave antiperendimore të presieneti të Rusisë, Vladimir Putin. Kjo deklaratë, ngado që ta analizosh e ta tjerrësh, vetëm në interes të shtetësisë, pavarësisë, mbrojtjes së territorit dhe integritetit të Kosovës nuk mund të jetë, sepse Turqia ishte dhe mund të mbetet një aleat i rëndësishëm i saj, por kurrësesi aleati i vetëm dhe më i sigurti për rrugëtimin e Prishtinës drejt integrimeve euro-atlantike, aq më pak për prosperitetin demokratik të saj. Ndërsa Rusia ishte dhe mbetet pengesa kryesore e shtetësisë dhe ajo mund të hapë rrugën e pranimit të Kosovës në OKB vetëm në marrëveshje me SHBA-të dhe jo me presidentin e Kosovës. Vladimir Putin nuk po prêt në Kremlin as kryeministrin Rama, edhe pse ai po këmbngul për një vizitë zyrtare në Moskë.
Nëse presidenti rus do të priste Thaçin ose Ramën, do të kërkonte një koncension të majmë në favor të tij. Ndryshe ai nuk do ta presë asnjërin prej tyre edhe nëse Erdogan do t’ia kërkonte këtë. Por pse atëherë presidenti i Kosovës u deklarua hapur e njëanshëm në mbështetjen e politikave të brendshme të një krahu politik në Turqi?! Pse ai i quan terroristë të gjithë ata që Erdogan i ka shpallur të tillë, ndërkohë që Europa dhe Amerika kanë përcaktuar standarde e qëndrime të ndryshme me presidentin e Turqisë?! Pse zoti Thaçi kërkon ndihmën e presidentit turk për një vizitë të tij në Moskë me ftesë zyrtare nga presidenti Putin?! Do të përpiqem të jap disa arësye: Së pari është sindromi ose virusi me emrin Edi Rama. Politikanët shqiptarë, sidomos të majtët, por kjo sindromë nuk përjashton edhe të djathtë, sa herë ndjehen ngushtë në politikat e qeverisjes, sa herë dështojnë për t’u dhënë shqiptarëve perspektivën e zhvillimit demokratik, sa më shumë zhyten në korrupsion dhe afera të ndryshme, fillojnë e konfliktohen me Perendimin, duke mos njohur kufij në mbrojtje të interesit të tyre vetjak.
“Miqësia” e ngushtë midis Thaçit e Ramës me presidentin turk, Erdogan, si dhe këmbngulja e tyre për një vizitë zyrtare në Moskë është një lloj miqësie e tipit “Për inat të sime vjehrre po shkoj e flej me mullixhinë”. Ata bëhen bashkë me çdo autokrat e nuk do të hezitonin të bëheshin bashkë edhe me diktatorë, mjafton që të mbrojnë interesat personale që lidhen me pushtet e pasuri. Rama i hodhi Merkelit në sy shashkën e rrezikut rus, “nëse BE nuk do të caktonte një datë për çeljen e bisedimeve për integrim në EU të Shqipërisë”. Thaçi i bëri karshillëk Europës dhe SHBA-së me sipërmarrjen e tij për ta shpallur Fethullah Gylen si “terrorist”, sepse është e njohur tashmë që kryeqytetet europiane dhe Uashingtoni kanë refuzuar ta shpallin atë sit ë tillë. Gatishmëria e presidentit të Kosovës për të implementuar politikat personale të presidentit të Turqisë kundrejt shtetasve turq në Kosovë, është një lloj presioni ndaj refuzimit që kryeqytetet perendimore i bëjne Thaçit si president. E tillë është dhe kërkesa e tij për vizitë në Rusi. Aq më tepër kur kjo vizitë synohet si hakmarrje për mungesën e ftesave nga vendet euro-atlantike.
Thaçi e ndjen këtë handikap. Nuk e kapërdin faktin se nga të gjitha vendet e BE-së e të NATO-s, vetëm Malta e ka ftuar në cilësinë e presidentit. Dhe nuk duhet të harrojmë se në Maltë janë të stacionuara që në vitet ’50 strukturat e shërbimit sekret serb, të cilat kanë qenë shumë aktive kundër shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të XX, madje duke tentuar të bëhen edhe qendra të rekrutimit në shërbim të atij shërbimi secret e duke operuar në të gjithë Europën. Një qëndrim i tillë armiqësor dhe në stilin e hakmarrjes është i njohur për shqiptarët, sepse rasti i diktatorit komunist shqiptar është shënuar si unikal në marrëdhëniet ndërkombëtare. Le të kujtojmë aleancat e tij në stilin e fjetjes me mullixhinë për inat të vjehrrës, pra me stisjen e aleancave pas konflikteve me aleatët e mëparshëm, gjithnjë në mbrojtje të pushtetit kriminal në Shqipëri.
Në vend që kjo eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare të mohohej, riaplikimi i saj u rikthen partnerëve ndërkombëtarë mosbesimin ndaj liderëve politikë shqiptarë. Së dyti, Erdogan në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari gjatë konferencës për shtyp me zotin Thaçi tha se “Nëse një shkollë arsimon të rinj që tradhëtojnë vendin e tyre do të thotë se ajo shkollë nuk e zbaton detyrën kryesore të saj”. Kjo do të thotë se Thaçi, Rama, Putin dhe Erdogan ruajnë të njëjtin koncept ekstrem për nocionin e tradhëtisë. Dmth ata janë të tre të një mendimi se kur kritikohet qeveria ose presidenti, atëherë kritikuesit duhen njësuar me “tradhëtinë” ndaj atdheut dhe kombit. Edhe kjo teoremë është dëshmuar si e dështuar kur është keqpërdorur nga diktatorë të shumtë në botë, të majtë e të djathtë. Dhe nëse shqiptarët nuk reformohen në koncepte rreth këtyre nocioneve, aq më tepër nëse simptomat e këtyre mendësive zgjaten deri te liderët kryesorë, atëherë Shqipëria, Kosova dhe çdo vend tjetër nuk do të mundin të realizojnë atë për të cilën janë përcaktuar: – Demokracinë liberale dhe funksionale.
Format e etiketimeve janë të ndryshme. Erdogan shfaqet hapur kur të gjithë gylenistët i konsideron “armiq” e “tradhëtarë” të Turqisë, ndërkohë që ata janë shpallur kundërshtarë të presidentit turk dhe politikave të tij të aleancës dhe zhvillimit. Por jo më pak “armiqësore” e etiketojnë opozitën gjithashtu Thaçi dhe Rama. Nëse do t’i vinim para pasqyrës ato që deklaron Erdogan kundër kritikëve të tij, do të ngjasonte identikisht me ato që thotë sidomos Rama në etiketimet e tij për kundërshtarët politikë, por edhe zoti Thaçi në Kosovë. Nëse Rama e Thaçi duken më elokuent, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim thelbësor nga mentaliteti i Erdogan dhe i Vladimir Putin. Në fund të fundit tradhëtia apo besnikëria ndaj atdheut e kombit nuk janë nocione që lidhen me raportet e individit me një individ tjetër, më një president apo kryeministër të një vendi. Fakti që zoti Thaçi ka marrë përsipër të zbatojë ligjet e Erdogan në Kosovë sa i përket shtetasve turq ose invetitorëve turq në këtë vend, dëshmon se presidenti i Kosovës i është bashkuar një kauze antidemokratike dhe antinjerëzore. Ndërkohë që tashmë dihet se një qeverisje antihumane është e prirur të shndërrohet shpejt në një diktaturë politike. Antihumanizmi është tipari kryesor i qeverisjes në Rusi, në Turqi, në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet ku sundojnë oligarikitë dhe qeverisjet autoritare e diktatoriale. Së treti, miqësia e për më tepër konvergimi i politikave deri në përcaktimin hipotetik të terrorizmit e terroristëve direkt ose indirekt vjen në rezonancë me politikat e afrimit të Erdogan dhe të Vladimir Putin.
Fakti që presidenti turk shfaqet tashmë hapur si një lider antiperendimor, për më tepër antiamerikn e në të njëjtën valë me të tilla strategji të Rusisë, është i mjaftueshëm që liderët politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo së paku të rezervohen, të mos kapërcejnë kufijtë e të mos i shndërrojnë marrëdhëniet shtetërore në marrëdhënie personale. Fakti që Erdogan ka shpallur si aleat të tij të ngushtë presidentin rus, do të thotë që Erdogan nuk mund të jetë partner strategjik i shqiptarëve, sepse interesat strategjike të shqiptarëve janë cënuar historikisht nga ambicja ruse për të dominuar rajonin tonë. Ata janë bërë bashkë, sepse e ndjejnë që veç e veç nuk mund të rikthehen në Ballkan për shkak të forcës që shfaq NATO dhe Perendimi. E megjithatë liderët tanë kanë vendosur të mos shohin anët e dyshimta, por të përqëndrohen në qëllimin e synimin emergjent: Mbrojtjen me çdo kusht të pushtetit politik, si mjet për t’u mbrojtur edhe nga akuzat për korrupsion dhe lidhje të dyshimta me grupet kriminale. Derisa shqiptarët në tërësinë e tyre janë kundër prezencës së Lindjes në hapësirën ballkanike, liderët tanë politikë kanë për detyrë t’i bashkohen kësaj qasjeje. Por nuk ndodh kështu, sepse pengojnë aferat e liderëve me politikanë oligarkë e autoritarë të lindjes, ndërkohë që qytetarët e vuajnë këtë sindromë. Së katërti: Politikat e presidentit turk janë politika antikemaliste e si të tilla ato ngjasojnë shumë me konceptet otomane të qeverisjes.
Nga historia ne e dijmë se Porta e Lartë kishte si model shpërblimin e shërbesave me pasuri të tundshme e të patundshme. Duke njohur ligjin e përsëritjes së historisë në forma e në rrethana të ndryshme nga e kaluara, vetiu duhet shtruar për diskutim çeshtja se çfarë përfiton zoti Thaçi, ose zoti Rama nga mbështetja që ata i japin presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, nga shërbimi që i bëjnë ata politikave të qeverisjes në Turqi! Këtë dilemë e komplikon fakti që biznesmenë të njohur në Kosovë janë shprehur publikisht për “lojëra nën tavolinë” të kompanive turke atje. Dhe është interesant fakti që sin ë Kosovë, edhe në Shqipëri kompanitë e firmat nga vendet e Lindjes operojnë në investime më shumë se ato të Perendimit. Arësyetimi është i thjeshtë: Kush jep ryshfet, futet në tregun e hapësirës shqiptare! Perendimorët nuk e njohin kulturën e ryshhfetit. Së pesti, kërkesa e zotit Thaçi, ashtu si dhe kërkesa e mëparshme e zotit Rama ndaj zotit Putin për një vizitë në Kremlin, janë jashtë kohezionit tonë. Moska vuan sanksionet politike, ekonomike dhe financiare të BE-së dhe SHBA-ve, ku dy ose tri shtetet shqiptare duan të integrohen. Të vizitosh Moskën në këtë periudhë konflikti midis saj e Perendimit është sit ë kërkohs të vendosësh vetullat e të nxjerrësh sytë.
Por as zoti Thaçi, as zoti Rama nuk kanë ndërmend të nxjerrin sytë e tyre. Ata do të nxirrnin sytë e shqiptarëve. Kjo kërkesë bie në kundërshtim me vokacionin perendimor të shqiptarëve, prandaj dhe dikur, në kushtet e pushtimit e të sundimit të ehër serb në Kosovë, ish-Presidenti Rugova nuk kërkoi dhe nuk realizoi ndonjë vizitë zyrtare në Moskë. Këta nostalgjikë të ideve staliniste mezi presin të shkelin ne qylimin e kuq të Kremlinit, shans të cilin duket se presidenti rus nuk do t’ua japë. Thjesht se ai kërkon që t’i pres të përulur në zyrën e tij madhështore dhe jo në rolin e partnerëve të barabartë! (A.R/SHUPLAKA)