Aleati i Lulzim Bashës, Nard Ndoka, në një postim të fundit në rrjetet sociale ka sulmuar Bashën duke thënë se ka shfaqur tendenca për të marrë vetë timonin e PD-së. Ai gjithashtu ka thënë se Basha po humb besimin në terren si lider i opozitës.
Sipas tij, problem nuk janë vetëm dy votat që rrodhën për të zgjedhur Ruçin në krye të Kuvendit, por fakti që Basha, sipas tij, vijon akoma të mbajë shpresa tek ajo marrëveshja që arriti në mesnatë me Ramën.
POSTIMI I PLOTË:
Opozita, morali dhe e vërteta!
Ka një debat sot të fryrë dhe të sponsorizuar mediatikisht për votat e deputetëve opozitarë në Kuvend, për votimin e kryetarit të kuvendit.
Z.Basha ka një përgjegjesi të madhe përpara: nuk arriti të fitojë besimin për Kryeministër, por po humb terren edhe si Lider i Opozitës.
Tendenca për të marrë vetëm timonin e PD-së, duke anashkaluar faktorët e tjerë opozitarë, është i njejti mentalitet dhe fenomen i Kryeministrit të tepsisë dhe timonit!
Z.Basha është Lideri i Opozitës, drejtues i PD-së, por edhe përfaqësues i Republikanëve, Demokristianëve, Minoriteteve dhe nacionalistave liberale të LZHK, përballe PS-së dhe qeverisë së saj.
Z.Basha ka zgjedhur me veprimet dhe mosveprimet e tij të përfaqesoje vetëm PD-në në Kuvend duke anashkaluar aleatet e tij në zgjedhje e duke krijuar një hendek dhe frymë mosbesimi.
Kjo klimë e acartë në kampin opozitar, thellohet akoma më shumë në duelin e heshtur me një tjeter parti opozitare, LSI-në, e cila po kërkon bashkëpunim dhe axhendë të përbashkët opozitare.
Marrëveshja Rama-Basha e ngjizur në orët e vona të natës, po mban peng çdo gjë në politikën shqiptare për fatin e keq edhe axhendën opozitare.
Rrodhen dy vota pa i kërkuar njeri; dy vota “tinzaresh”, por situata në kampin opozitar është më e rendë se kaq!
Të shpresojmë; që Z.Basha të çlirohet nga komplekset dhe detyrimet e marrëveshjes; të bëje transparencën e munguar që na penalizoi jo pak në zgjedhje dhe të ngrihet në lartësinë e Liderit Opozitar duke i prirë dhe bashkuar çdo faktor në Kuvend dhe jashtë tij. (B.H/Shuplaka)