Kreu i PDK-së Nard Ndoka, në çadrën ku po zhvillohet protesta e opozitës që prej 18 shkurtit, i ka bërë thirrje kreut të LSI-së Ilir Meta, që t’i bashkohet kauzës së opozitës.
“I kam edhe dy fjalë për zotin Ilir Metën, me të cilin unë kam mbajtur një grevë urie pikërisht për standartin e zgjedhjeve, për votën e lirë.
E shoh sot Ilir Metën të frikësuar, kryeministri i ushton presion çdo ditë, paradite, në darkë darkojnë sëbashku, të nesërmen e sulmojnë prap njëra-tjetrën. Ilir Meta hiqe frikën, bashkohu jo me opozitën si program, por me opozitën si kauzë për standartin e zgjedhjeve. Është tepër e rëndësishme, sepse nëse t’i ke humbur besimin te Edi Rama dhe me të drejtë, por për hir të realitetit e ke humbur edhe te Ilir Meta për faktin se nuk po tregohesh parimor, je mes parimeve, frikës dhe interesave të tua politike.
Bëje dallimin dhe nëse je vërtet burrë, të paktën e deklaron vetë se je njeri që e mban fjalën, mbaje fjalën dhe distancohu nga marria e Edi Ramës dhe mbështetju kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të cilat ne kemi mbajtur grevë në Kuvendin e Shqipërisë. është momenti për të vendosur sot Ilir Meta, jo në darkë ndryshe dhe në drekë ndryshe, por për t’i vënë ultimatumin Edi Ramës për ta kthyer në rrugën e drejtë.”, është shprehur sot Ndoka.
Sakaq, lidhur me bojkotin që opozita po i bën sot parlamentit, Ndoka është përgjigjur se kjo ka qenë zgjidhja e vetme që i kishte mbetur opozitës për ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar. (D.D/Shuplaka)