U takuam krejt rastësisht një ditë para se ta bënte publik largim nga ”Mapo” dhe sigurisht që biseda e shkurtër 5-minutëshe u fokusua te lajmi i takimit të tij me ish-ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu në SHBA.
”Ishit të vetmit që e kishit trajtuar në mënyrë korrekte”, më tha Lela. Vlerësimi i një drejtuesi medie për një media tjetër, të re si ne, është domethënës. Dhe sigurisht frazës ”Jemi të hapur për çdo gjë që mund të kesh”, ai iu përgjigj me një ”Faleminderit!” dashamirëse.
Nuk kaluan as dy ditë, kur do ta kontaktoja sërish. Kësaj radhe për vendimin e tij profesional dhe për atë që të gjithë e kemi quajtur ”fenomen” në median e sotme.
Dhe pyetja ”bombë” nuk mund të mos të jetë: ‘A do angazhohet në Partinë Demokratike pranë Lulzim Bashës’. Por çfarë thotë Lela për largimin nga ”Mapo”, linjën editoriale të Henri Çilit, pozicionimin e ish-botuesit të tij në fushatë, paralelizimin me largimin e Armand Shkullakun nga ”ABC News” dhe se çfarë do bëjë tani e tutje?
Mbrojtja e doktoraturës… por surpriza, një roman! Të gjitha në një intervistë që i duhet vënë kujdes…
Alfred, u largove prej ”MAPO”-s duke shpjeguar arsyen e politikës editoriale të botuesit Henri Çili. Në fakt a ishte e papritur, a ke luftuar me Çilin në atë që ti besoje se ”Mapo” duhet të orientohej?
Në fillim dua të them se Henri Çili nuk është një prej ‘armiqve të lirisë’. Shpesh e shoh të sulmohet publikisht apo thashethemanjës, por kjo vjen edhe ngaqë ai ka një aktivitet pothuajse ‘të çmendur’.
Është një njeri që nuk pushon kurrë. Kemi bërë gjëra shumë të mira me Henrin në historinë e ”Mapo”-s, të cilat nuk do të ishin realizuar, ndoshta, pa ngulmimin e tij. Për mua vitet te ”Mapo” kanë qenë përmbushëse intelektualisht. Do i kujtoj si të tilla.
Po, ne jemi ‘përplasur’ me Henrin për linjën editoriale. Sigurisht, çdo media dhe botues zgjedh një politikë të caktuar editoriale. ”New York Times” e bën këtë. ”Mapo” nuk ka pse të bëjë ndryshe: Ndryshimi qëndron te ajo se ”NYT” ka një bord editorial. Që janë ca burra dhe gra me peshë, që peshojnë se çfarë është në interes të publikut.
Çili është shprehur se politika editoriale ka qenë që në fillim e shpallur prej tij dhe se ”Mapo” do mbetet liberale. Pse kjo marrje e beftë e vendimit nga ana jote kur për shumë kohë ke qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i tij?
Shiko, ndoshta nuk ka ndryshuar linja editoriale dhe kam ndryshuar unë. Nuk e di. Kanë qenë ditë të ngarkuara e të trazuara këto të fundit dhe do më duhet distancë për t’i kthjelluar ngjarjet.
Por intuita, profesionale, personale, publike, më thoshte se një linjë editoriale nën shenjën ‘Rama reformator, edhe një mandat të dytë’ do të më asgjësonte profesionalisht. Xhaketa ime e e gazetarit e ka ende ngjyrën blu dhe ‘erën e barutit’ nga ‘barrikadat’ e fushatës së vitit 2013.
Të jem i hapur: edhe kam shpresuar se kjo linjë e shpallur prej Çilit do më ‘toleronte’. Dua të them, shpejtësia e ngjarjeve do e shkruante vetë linjën editoriale. Zgjedhjet e kanë zakonisht këtë shpejtësi.
Por, janari është muaj i ftohtë, i ngadaltë dhe depresiv. Unë jam lindur në janar dhe muaji i lindjes është gjithaq i mirë si muaj ndëshkimi.
Ishte rastësi apo e mendove si momentin më të përshtatshëm largimin ditën kur u largua dhe Shkullaku? A mendon që largimet tuaja janë i njëjti fenomen në medien shqiptare?
Orkestrim nuk ka patur. Paradoksalisht, Shkullaku ma ka kaluar mua të parit lajmërimin për ikjen e tij nga puna. Jo si pjesë e një marrdhënie personale, por si drejtor i ”Mapo”. Ai më kërkoi që ta hidhnim ne të parët lajmin e largimit të tij, duke qenë se ne kishin qenë ‘shtëpia’ e komenteve të tij për disa vitet e fundit. Unë ndërkohë isha për vete ‘i larguar’. Nuk bëra zë, por ia kalova shefit të ”mapo.al”, Enton Palushit.
Megjithatë, si profilet tona mediatike, si largimet, si botuesit, ashtu dhe konteksti i largimeve, nuk ngjajnë.
”Mapo” ka qenë dhe do mbetet, shpresoj edhe pas largimit tim, një sipërmarrje intelektuale. Mendoj se intelektualja te ”Mapo” ka peshuar gjithmonë më shumë se merkantilistja, edhe pse përshtypja e kundërt nuk përton të përsëritet. Në këtë kuptim, bashkëpunimi im me Henrin ka qenë i veçantë: unë isha përcjellësi më i mirë ku kalonte kjo përmasë intelektuale e ”Mapo”-s (më falni për mungesën e modestisë).
Çfarë të ka komunikuar Çili se do bëjë me medien e tij gjatë fushatës…nëse mund ta dimë…
Çili do të pozicionohet. Ky është ‘arti’, ‘mëkati’, dhe ‘prerja’ e tij. Kjo është krusma e tij që i vjen prej të qenit një centaur. Në këtë rast gjysma sipërmarrës dhe gjysma gazetar.
Ka zëra se tashmë do jesh një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Lulzim Bashës. Si qëndron e vërteta, a ke synime për t’u futur në politikë?
Të gjithë me shohin si ‘njeri të Bashës’. Sa mirë që nuk më shohin si ‘një njeri te i cili nuk mund të ngresh një tjetër njeri’, siç thotë Bertold Breht.
E mbani mend? Unë kam qenë edhe ‘Berishist’. Shumë ma kujtojnë me të madh edhe këtë. Jam me kauzat, çështjet apo vlerat, jo me njerëzit. Për mua këto i ka përfaqësuar, kryesisht, e djathta.
Mund t’ju them se z. Basha më ka telefonuar pas publikimit të lajmit, dhe jemi takuar një ditë më pas. Nuk kemi folur për bashkëpunime të ngushta, por për median dhe raportet e saj me qeverinë.
Dhe një pyetje e fundit për çfarë po ndodh me median në Shqipëri. A mendon se qeveria e ka kapur përfundimisht, duke mbyllur edhe shtigjet më të vogla të lirisë? Çfarë mund ta ndreqte të gjithën këtë?
Po ndodh diçka që mund të quhet ‘shndërrim’. Mediat e reja po ‘motërzohen’ me tradicionalet dhe në formë do të fitojnë të parat. Në përmbajtje do të triumfojë e dyta.
Kur them ‘përmbajtje’ e kam fjalën te nevoja e lexuesit për të gjetur një lajm të interpretuar dhe me burime të sakta, jo te gjatësia apo lloji i materialit.
Ky shndërrim e ka gjetur të papërgatitur qeverinë e Ramës. Mendojeni për një çast: nëse nuk do të ishin mediat online, unë dhe Shkullaku nuk do të përbënim lajm. Kjo autostradë e re e infomacionit i nervozon pushtetet.
Çfarë ndodh tani?
Ndodh që unë të jem në përmbyllje të doktoraturës. E mbroj më datë 24. Menjëherë pas kësaj do të kërkoj një botues për librin, i cili merret me komunikimin politik të Berishës gjatë periudhës ‘90-‘92.
Më pas do të ulem për të shkruar një roman. Ashtu si Rama i mundësoi Blushit kohën e shkrimit të një romani, një ‘dhuratë’ të tillë më bëri mua Çili.
Të gjitha këto në muajin dhe vitin kur unë mbush 40 vjeç. What a life!/ Valmora Gogo-SHUPLAKA
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”758″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]
Ky Lela le te beje c’ti doje qejfi..! Nuk e kam lexuar dhe nuk do ta lexoj! Ne mendjen time do mbetet vetem nje imazh i tij..te nesermen e fitores se Trump, doli ne abc-news sikur i kishte vdekur nje njeri i afert. Gati nuk qame edhe ne qe po e shihnim. ?