Lideri i partisë kryesore shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, (BDI), tha të mërkurën se partia e tij do të fillojë negociatat me VMRO DPMNE meqënese partia e tij ka marrë një mandat për të formuar qeverinë e ardhshme.
Ahmeti theksoi se ende nuk kishte vendosur nëse negociatat do të përfundonin apo jo me një rinovim partneriteti, pasi BDI po analizon opsionet per një koalicion me VMRO DPMNE, koalicion me socialdemokratët në opozitë, LSDM ose bashkimin në një qeveri “teknike” apo qëndrimin në opozitë.
“Të gjitha opsionet janë të mundshme dhe ne po i analizojmë këto opsione seriozisht në nivelet më të larta të partisë”,- tha Ahmeti të mërkurën në mbrëmje për ”INA”.
Ahmeti tha se negociatat nuk do të jenë të lehta dhe se ai nuk do të hyjë në qeverisje nëse partneri maqedonas nuk pranonte deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga partitë etnike shqiptare më 7 janar.
VMRO DPMNE është partia më e madhe që fitoi zgjedhjet e 11 dhjetorit me 51 vende nga 120 të mundshme në parlament, ajo ka marrë mandatin nga presidenti për të formuar një qeveri.
Shpresa e vetme e VRMO DPMNE është aleanca me BDI-në e cila ka 10 vende, pasi shumica e partive të tjera i kanë përjashtuar negociatat me të. (SHUPLAKA)