Deputeti Astrit Patozi, i cili ishte i ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, ka zbuluar se cila ishte alternativa e tij për ringritjen e Partisë dmeokratike.
Ai ka paralajmëruar se do të nisë një tur takimesh me demokratët në të gjithë Shqipërinë dhe do të kërkojë mbledhjen e Këshillit Kombëtar që të gjejë zgjidhje për situatën ku gjenden për të ndaluar farsën me procesin zgjedhor.
“Ne nuk kemi mbret në PD. Ne nuk pranojmë që të kemi një mbret për kryetar, që thotë që unë me dy tre njerëz të shtëpisë i vendos të gjitha. Unë vetë bashkë me një grup kolegësh do të bëjmë një tur nëpër Shqipëri në mënyrë që të takohemi me demokratët dhe t’u kërkojmë që të gjejmë zgjidhje për partinë tonë.
Në ditët në vijim do të ketë zhvillime të reja. Do të ketë kërkesa institucionale për të ndërprerë farsën, nëse nuk ndodh do të shikojmë të gjitha mënyrat që ajo ditë të mos jetë e bekuar, por për t’u harruar” shprehet Patozi.
Kujtojmë se pak ditë më parë, në një lidhje telefonike për emisionin “Të Paekspozuarit”, Patozi u shpreh se do të vazhdojë të luftojë brenda PD-së dhe deklaroi se së shpejti do të shpallte alternativën e re. Partinë Demokratike ai e cilësoi si shtëpinë e tij.
“Do të shpall alternativë të re shumë shpejt, Partia Demokratike është shtëpia ime ,ky është mendimi im, kjo është alternativa ime që do shpall shumë shpejt”, ishin fjalët e Patozit. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post