Ngjarja tronditëse e Alvin Berishës, 11-vjeçarit shqiptar që ndodhet në kampet e ISIS në Siri, ka shokuar opinionin publik.
Disa prej personazhe të njohur kanë bërë thirrje drejtuar institucioneve përkatëse që mund të bëjnë diçka për gjetjen dhe shpëtimin e 11-vjeçarit:
Aurela Gaçe: “Sot, kalimthi, u hasa në një lajm që nuk e dija se çfarë përmbante. Por, duke parë që më kanë bërë shumë tag në këtë histori, u futa të lexoj e të di më tepër. Nuk i di politikat e shtetit tonë, s’e di se me çfarë e se me kë biem ndesh nëse shpëtohet një fëmijë. Nuk mund ta imagjinoj të dua të marr fëmijën tim e të mos mundem. Ky fëmijë mesa lexova nuk ndodhet atje mes vatrës së luftës, sepse ashtu donte. Ai s’mund të marrë vetë vendime. Lutem, kushdo që e ka në dorë të shpëtojë një jetë, të mendojë si prind. Vetëm imagjinoni sikur ne të ishim në këtë pikë e askush të mos na dëgjonte. Lotët e tyre është e pamundur të mos na shkundin.”
Xhensila Myrtezaj: “Të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, duhet të falenderojnë ‘Le Iene’. Kushdo qoftë që ka pasur në dorë të bëjë diçka dhe nuk e ka bërë, ose kushdo që ka në dorë të bëjë diçka dhe nuk e bën, Zoti i paftë.”
Alban Skënderaj: “Nuk e vë në dyshim që mes 100 burokracive, relatave politike, gjeostrategjike etj., kthimi i Alvinit në Shqipëri është i komplikuar! Por, jam po aq i bindur që me pak vullnet dhe përkushtim, shteti shqiptar mund ta kthejë këtë fëmijë në shtëpi, i cili për shkak të një vendimi të nënës së tij për ta marrë me vete në Siri, ka vuajtur dhe vuan pasojat e tmerrshme të një lufte, cila me siguri ka sjellë jo vetëm dëmtime fizike, por edhe psiqike dhe shpirtërore. Dhe një herë e them, mund ta kuptoj që është e komplikuar, por s’do të thotë që është e pamundur! E dashur qeveri dhe të dashura institucione përkatëse, tregoni pak vullnet të mirë! Ju bën mirë dhe juve të mobilizoheni në një rast si ky për të rifituar pak besim dhe dinjitet. Jepuni ndjesinë shqiptarëve anembanë botës se ka një atdhe, që edhe pse i vogël dhe jo i fuqishëm, mund të kujdeset dhe t’i mbrojë ata, të paktën në rastet esktreme siç duket ky rast, ku përfshihet një i mitur shqiptar, i cili nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e prindërve të tij.”