Ambasadave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shprehur mbështetjen e saj për punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut ndërsa thekson se profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.
Me anë të një reagimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada shkruan se ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar, ndërsa nuk sqarohet se kujt i referohet zyra e rëndësishme e diplomacisë në vend.
“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.
Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”, thuhet në reagimin e ambasadës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)