Ambasada e Rusisë në vendin tonë ka reaguar dje kundër disa shkrimeve në të përditshmen ‘’Tema” të drejtuar nga gazetari Mero Baze.
Në një postim në ‘’facebook-un” e ambasadës, thuhet se në javët e fundit, tek ‘’Tema” janë vënë re disa lajme të pavërteta dhe jashtëzakonisht fyese për Presidentin e Rusisë Vladimir Putin.
Ata thonë se ‘’Tema” merr lajme nga media të tjera ndërkombëtare që janë të rreme dhe më pas i publikon ato në faqen e saj, duke u shndërruar kështu në një media joserioze.
REAGIM i Ambasadës ruse:
Kemi parë javët e fundit një sërë shkrimesh në gazetën “Tema” kushtuar temës së Rusisë (artikuj të dt. 26 mars, 7 prill, 8 prill, 9 prill, etj.). Ambasada vuri re me habi se shumica e këtyre materialeve bazohen në trillime dhe informacione të pavërteta, dhe madje përmbajnë edhe gjykime jashtëzakonisht fyese për Presidentin e Rusisë Vladimir Putin.
Redaksia e gazetës duhet të dijë se, duke ribotuar këto lajme të rreme dhe “analiza” konspiracioni nga mediat “e respektuara” perëndimore, ajo merr përsipër përgjegjësinë për këto falsifikime të hapura.
Po e shohim me keqardhje se si gazeta “Tema”, e cila deri fare pak kohë më parë na dukej si një media objektive dhe profesionale, është duke u zhytur gradualisht në nivelin e një gazete që i përshtatet plotësisht përcaktimit “shtypi i verdhë”.
Jemi të sigurtë se ky devijim nga standardet e vërtetësisë, seriozitetit dhe profesionalizmit është i gabuar. Në fund të fundit, përdorimi i materialeve jokorrekte dhe kontradiktore, në rendje pas sensacioneve, do të çojë pashmangshmërisht në zhgënjimin e lexuesve të gazetës dhe në humbjen e reputacionit të saj.
Më tej ambasada ka reaguar dhe kundër avokatit Spartak Ngjela, pasi ky kishte bërë një deklartatë se oficerë rusë kishin hyrë për të shkaktuar trazira në zgjedhjet në Shqipëri.
“Kemi lexuar kryeveprën e radhës, që pretendon të quhet analizë, nga Spartak Ngjela, në të cilën mbi Rusinë hidhet përgjegjësia e destabilizimit të situatës politike në Shqipëri. Të tilla konkluzione që nxirren pa asnjë bazë të besueshme ngjallin dyshime serioze për kompetencën dhe nivelin intelektual të autorit. Në këtë kuadër, nuk mund të mos kujtohet edhe historia magjepsëse e treguar më parë nga zoti Ngjela për “400 oficerë rusë” që, sipas tij, ishin futur në Shqipëri në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s për të organizuar trazira. Po meqë ra fjala, ku janë zhdukur këta “oficerë”? Po presim me padurim, zoti Ngjela, detaje të reja nga ju!”, shkruan ambasada ruse.
(E.K/FAXWEB.AL)