Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën dhe rrugës së saj drejt përparimit.
Ai i bëri këto komente në takimin e tij të fundit zyrtar si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi kurora lulesh pranë shtatores së presidentit të parë të vendit Ibrahim Rugova, në qendër të Prishtinës. Ambasadori Hovenier tha se përmbyllja e misionit te shtatorja e ish presidentit Rugova është shprehje e nderimit për atë që ai përfaqësoi.
“Këmbënguljen e tij për të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë popullit të Kosovës, këmbënguljen e tij për një shtet sovran demokratik, shumetnik e të bëgatë, këmbënguljen e tij për t’i arritur ato qëllime në mënyrë proporcionale me vlerat më të larta të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ambasadori Hovenier.
Ai tha se përgjatë shërbimit të tij trevjeçar si ambasador ka bërë përpjekje që të ndihmojë përparimin e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Ne duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për herë të parë në fund të viteve nëntëdhjetë, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka dyshim për përparimin dhe për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të parë realizimin e vizionit të tij për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumë etnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha ai.