Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Lugi Soreca në një intervistë për Ora News është shprehur se dialogu mes palëve politike është I nevojshëm dhe duhet të fillojë sa më shpejt.
E ndërkohë që për herë të parë Soreca ka deklaruar se 10 pikat e platformës së opozitës janë legjitime.
Ndër të tjera ai është shprehur: Sistemi politik shqiptar duhet të kuptojë që kriza e tanishme është një cikël që duhet të thyhet, pra ka nevojë që partitë politike të gjejnë hapësirën për kompromis. Unë jam përpjekur që të kontaktoj me të gjitha palët, me qeverinë, opozitën, parti të vogla, parti të mëdha në opozitë. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që të hapet dera ndaj opozitës, që opozita të dëgjohet, por edhe që të ftohen në dialog. Më duhet të them se platforma e 10 pikave për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një propozim legjitim që duhet vlerësuar, por në të njëjtën kohë dialogu duhet të ndodhë me qeverinë që është zgjedhur që është zgjedhur nga qytetarët shqiptarë.
Ndërkohë që Soreca ka vijuar më tej duke u shprehur se fundi i kësaj javë është një nga afatet kohore më të rëndësishme të opozitës për të prezantuar platformën e saj.
Si të domosdoshme Soreca ka parë pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e qershorit.
“Fundi i kësaj jave është një afat i rëndësishëm kohor për platformën nga opozita, për prezantimin e saj. Ju e dini që nesër do të ketë një protestë të organizuar nga partitë e opozitës. Koha po përfundon. Së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, kështu që koha e mbetur është shumë e shkurtër. Unë shpresoj që ajo do të përdoret, në rast se nuk do të shfrytëzohet ne do të shohim që do të kemi një fushatë zgjedhore, shpresojmë që ajo do të jetë e paqme dhe që të kemi zgjedhje. Natyrisht që aktorët politik në Shqipëri do të duhet të përballen me të dyja palët. Pra përgjegjësia e zgjedhjeve, të cilat nuk janë të mira nga këndvështrimi politik, pasi siç e thashë zgjedhje të mira janë ato në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra të mund të zgjedhin. Ne do të vazhdojmë në këto ditë, në këto orë që të ftojmë të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne bëjmë diskutime dhe bashkëbisedime me të gjitha palët dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në minutën e fundit”.