Ka përfunduar takimi i ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në selinë blu. Në fund të takimit ambasadori ka deklaruar se në takimin me Bashën është folur lidhur me protestën e nesërme, ku BE ka bërë thirrje që të shmangen aktet e dhunës.
‘’Nesër është një ditë e rëndësishme, shpresojmë që të mos ketë shfaqje të dhunës”, është shprehur Soreca. Në zyrën e Bashës gjatë mëngjesit të sotëm ka qenë dhe ambasadorja gjermane në vendin tonë Susanne Schutz.
Ndërkohë dje në një reagim për situatën politike në vend, ambasada e SHBA-ve bënte thirrje që deputetët të mos djegin mandatet e tyre, po të mbajnë përgjegjësitë që u takojnë përpara qytetarëve.
‘’Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme.
Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni”, deklaronte dje ambasada e SHBA-ve.
Kujtojmë që opozita kërkon një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, e cila do të përgatisë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, dhe të pandikuara nga paratë e krimit.
Gjermania është një nga shtetet më skeptike sa i takon qeverisjes së Edi Ramës, duke e konfirmuar këtë dhe me qëndrimin e saj për mosçeljen e negociatave me Shqipërinë.
Pak ditë më parë ambasadorja Schutz zhvilloi një takim dhe me ish-ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, i cili ka qenë një nga politikanët më të pëlqyer në Berlin, ç’ka u interpretua si një injorim që u bë në drejtim të kryeministrit Rama
(E.K/FAXWEB.AL)