Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, për të marrë informacion mbi zhvillimin e procesit zgjedhor në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Pas takimit, ambasadori Gonzato foli për mediat, duke theksuar se Bashkimi Europian nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në procesin zgjedhor. “Bashkimi Europian as nuk ndërhyn dhe as nuk manipilon. Lajmi se ne kemi ndërhyrë në raportin e ODIHR është plotësisht i pavërtetë. ODIHR është një organizatë e pavarur dhe vepron në mënyrë të pavarur; ne nuk mund të ndërhyjmë në raportet e tyre. Ne besojmë tek ODIHR, i cili është përgjegjës për monitorimin e procesit,” tha ai. Gonzato theksoi se roli i BE-së është të ndihmojë Shqipërinë në procesin e integrimit, duke sqaruar se “ne jemi këtu për të ndihmuar Shqipërinë, jo për të manipuluar asgjë.”
Ai gjithashtu e vlerësoi punën e SPAK, duke theksuar se lufta kundër krimit të organizuar është një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.