Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni, gjatë vizitës së saj në qershor, deklaroi se kampi i refugjatëve në Shëngjin e Gjadër do të hapej më 1 gusht. Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizzio Buçi tha për News24 se hapja e kampit është shtyrë edhe për disa javë, ndërsa shtoi se shkak për këtë duket se janë bërë punimet shtesë. Më herët sot lajmin për shtyrjen e hapjes së qendrave edhe raportoi edhe media italiane “Tgcom24”, ku edhe zyrtari italian, nënsekretari Alfredo Mantovano, shpjegoi se vonesat janë për shkak të ngadalësimeve të punimeve.
Marrëveshja Shqipëri-Itali për pritjen e emigrantëve
Marrëveshja mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për strehimin e emigrantëve u nënshkrua më 6 nëntor të vitit të kaluar. Pakti i firmosur nga kryeministri Rama dhe homologia e tij Giorgia Meloni parashikon krijimin e dy qendrave për identifikimin dhe pritjen e emigrantëve të menaxhuar nga autoritetet italiane në tokën shqiptare, njëra pranë portit të Shëngjinit në veri të vendit, dhe tjetra në brendësi, në Gjadër. Brenda kampeve mund të strehohen deri në 3000 emigrantë, dhe siç parashikon pakti atje do t’u duhet të presin vendimet nëse mund të shkelin ose jo në territorin italian ose, në të kundërt do të riatdhesohen me shpenzimet e Romës.
Qeveria italiane synon që në kampet që do të hapen në Shqipëri, do të dërgohen personat e shpëtuar nga autoritetet në det, pra jo ata të cilët shpëtohen nga organizatat jo qeveritare. Ndërkohë mediat italiane raportojnë se vlera e projektit parashikohet të jetë rreth 34 milionë euro. Vlerë kjo të cilës duhet t’i shtohen rimbursimet për shërbimet e transportit, shërbimet komunale, grumbullimin e mbetjeve, mirëmbajtjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme, lidhjen Wi-Fi dhe kujdesin shëndetësor. Megjithatë pakti i nënshkruar mes dy vendeve ka shkaktuar reagime të ashpra si nga opozita shqiptare ashtu dhe nga opozita italiane, pasi sipas tyre kjo marrëveshje shkel të drejtat e njeriut.