Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar në një konferencë për mediat ka kujtuar tentative për grusht shteti të ndërmarrë në 15 korrik 2016, në Turqi.
“Ne jemi krenarë që e kapërcyem këtë provë. Kjo tentativë për grusht shteti u pengua falë rezistencës së shpejtë dhe të vendosur të të gjithë elementeve të shoqërisë demokratike dhe para së gjithash të popullit tonë, të cilit iu përpoqën t’i grabitnin sovranitetin. Është e qartë se pas kësaj tentative gjakatare të mbrëmjes së 15 korrikut ishin Fetuhllah Gyleni dhe pasuesit e tij. Organizata Terroriste Gyleniste FETO është një organizatë terroriste e gjeneratës së re e ndërtuar mbi hipokrizinë, fshehtësinë dhe heshtjen e plotë”, u shpreh Bayraktar.
Bayraktar theksoi se nuk është e lehtë të luftosh me një strukturë të tillë dinake dhe të fshehtë, duke shtuar se Qeveria Turke po merr masa të drejta dhe efektive për të mënjanuar këtë kërcënim të afërt.
“Ne jemi të vendosur të luftojmë kundër FETO-s në kuadrin e sundimit të ligjit, moralit dhe demokracisë, të cilat janë tri vlerat që ata i nënvlerësojnë më shumë se çdo gjë. Jemi përballë një strukture që ka si objektiv pushtetin dhe sundimin në nivel global. Në rreth 160 vende në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, FETO ka shkolla, organizata të shoqërisë civile, institucione mediatike dhe kompani. Ngjarjet e një viti më parë në Turqi janë tregues se çfarë mund të bëjë kjo organizatë edhe në Shqipëri. Autoritetet dhe opinioni publik shqiptar duhet të jenë të gatshëm përballë veprimtarisë së kësaj organizate dhe para së gjithash të institucioneve të saj arsimore. Duhen marrë sa më shpejt të gjitha masat e nevojshme dhe duhen tharë burimet e tyre financiare”, theksoi Bayraktar.
(S.SH/Shuplaka)