Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Suzanna Schütz në një intervistë për ‘Gazetën Shqiptare’, është shprehur se mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, por thekson faktin se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe procesi i vetingut janë jetike për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian për Shqipërinë.
Ambasadorja gjermane nuk komenton vendimin e parlamentit për rrëzimin e kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por thekon se para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe në asnjë rast nuk duhet që imuniteti të përdorej pikërisht për të bllokuar punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Nga Kukësi ku ishte për të inauguruar hapjen e Qendrës për Informacion dhe Orientim për të Drejtat Sociale, Migracionin, Arsimin Profesional dhe Karrierën, projekt i financuar nga GIZ-i dhe vihet në zbatim nëpërmjet partneritetit me organizata të shoqërisë civile, ambasadorja Schütz i rikujton klasës politike shqiptare që të duhet të çojnë deri në fund procesin e vetingut, të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Muajin e fundit Parlamenti shqiptar rrëzoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. A ishte ky një mesazh politik për bllokimin e veprimit të drejtësisë?
Lidhur me rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri nuk mund të shprehem, se nuk i njoh detajet e të gjithë procesit, por përgjithësisht mund të them që ne mbështesim mendimin dhe qëndrimin se Shqipëria duhet të luftojë e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në këtë kontekst, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë detyrat e tyre. Ne presim që Shqipëria të bëjë më tepër në këtë rrugë dhe e mbështesim Shqipërinë pikërisht në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe shpresojmë shumë që në këtë kontekst të arrihen rezultate konkrete. Përpara ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe në asnjë rast nuk do të duhet që imuniteti të përdoret pikërisht për të bllokuar punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Në Shqipëri sapo ka nisur procesi i vetingut. Mendoni se ky proces do të pastrojë sistemin e drejtësisë nga të inkriminuarit dhe si i komentoni deklaratat e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donal Lu për arrestimin e “peshqve të mëdhenj”?
Krimi i organizuar është një problem që duhet të zgjidhet patjetër, është një prej kushteve themelore që Bashkimi Europian ka vendosur në kuadër të procesit të integrimit. Ne e përshëndesim shprehimisht faktin se procesi i vetingut tashmë ka filluar, megjithëse ka pasur përpjeke të ndryshme për ta ngadalësuar këtë proces. Ju e dini tanimë që ne mbështesim dhe konkretisht kemi mbështetur me kontribute procesin e vetingut, përmes misionit EURAILUS.
Të gjithë e dimë që procesi vetingut është i rëndësishëm, i vështirë dhe i paprecedentë, është një proces i cili nuk ka të ngjashëm të vetët në vend apo në rajon, prandaj bëhet më i rëndësishëm fakti që të gjithë pjesëmarrësit të mund ta realizojnë këtë proces me seriozitetin më maksimal të mundshëm. Të vënë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme, në mënyrë që të krijohet një ide dhe një panoramë sa më e qartë rreth personave. Shpresa është që sistemi i drejtësisë në fund të jetë një sistem i pastruar nga radhët e të inkriminuarve. Në do të jetë 100% i tillë, kjo është diçka e diskutueshme, por ky është gjithsesi objektivi ynë.