Amerikanët që po kthehen në atdhe po përballen me radhë të gjata dhe pritje të stërzgjatura në aeroportet e vendit.
Të shtunën Shtetet e Bashkuara zgjeruan hartën e vendeve nga të cilat nuk do të lejohen udhëtimet drejt SHBA-së duke përfshirë krahas Evropës edhe Mbretërinë e Bashkuar e Irlandën. Ndalimi për këto dy të fundit nis të hënën.
Në një konferencë për shtyp të shtunën Presidenti Donald Trump tha se ai po sheh mundësinë të kufizojë edhe udhëtimet brenda vendit, veçanërisht nga zona të caktuara problematike.Shpallja e emergjencës kombëtare si pasojë e koronavirusit të premten bëri që Departamenti i Mbrojtjes të ndalojë të gjitha udhëtimet e brendshme për anëtarët e shërbimit ushtarak dhe familjet e tyre, vendim që hyn në fuqi të hënën dhe do të vazhdojë deri më 11 maj.
Shtetasve amerikanë dhe atyre që kanë kartën e gjelbër e që vijnë në SHBA nga vendet e përfshira në ndalim do t’u kërkohet që në kthim t’u nënshtrohen procedurave shtesë të shqyrtimit të gjendjes së tyre shëndetësore për të përcaktuar nëse ata mund të kthehen ose jo në komunitetet e tyre.
Të shtunën me mijëra udhëtarë që po ktheheshin me ngut në Shtetet e Bashkuara nga vende të tjera, mbetën në radhë të gjata në aeroportin e Dallasit, në shtetin e Teksasit. Pasagjerët u shprehen të shqetësuar që udhëtarët nga Evropa dhe Kina qëndrojnë së bashku në radhë me të gjithë të tjerët.
Turmat e mëdha dhe hapësirat e vogla janë pikërisht ato që na thuhet se duhet të shmangim në këto momente.
Por, kjo është pikërisht ajo çfarë shfaqet në filmimet e Billy Sprouse, i cili ishte një ndër mijëra pasagjerët e ngecur në radhë në aeroportin e Dallasit.
Po kështu dëshmojnë edhe pamjet e Dorothy Lowe.
“Mund të shoh vetëm njerëz në cilindo drejtim që hedh vështrimin”, thotë Dorothy.
Ajo ishte kthyer me avion nga Meksika dhe i telefonoi kanalit ABC News, pasi kishte pritur tre orë në radhë dhe ende nuk po dilte në krye.
“Na vendosur të gjithëve bashkë në të njëjtën linjë, krah më krah”, thotë Dorothy.
Zonja Love thotë se pasagjerët që vijnë nga Evropa dhe Azia, të konsideruara vatra të aktivitetit të koronavirusit, u përzien me gjithë të tjerët.
“Jam më pak e shqetësuar për kohën që duhet të rri këtu. Jam më e shqetësuar se nga cilat vende vijnë njerëzit përreth meje dhe ndaj gjërave që mund të jenë ekspozuar atje”, thotë ajo.
Dhjetëra pasagjerë të tjerë publikuan fotografi dhe video në Twitter. Autoritetet e aeroportit të Dallasit reaguan duke thënë se ekipet kanë shtuar masat parandaluese dhe se për momentin ka ende dezinfektant për duart në të gjitha terminalet. VOA