Vetëm 13% e qytetarëve ndiejnë përfitime financiare; perceptimi për Trumpin bie ndërsa rritet shqetësimi për inflacionin dhe tarifat.
Sondazhi, i kryer mes datave 18-21 korrik me 1,470 të rritur, vjen teksa Trump i afrohet ditës së tij të 200-të në mandatin e dytë.
Pavarësisht premtimeve për ulje çmimesh dhe rritje pasurie, vetëm 13% thanë se po përjetojnë ndonjë përfitim financiar konkret.
Inflacioni ka shënuar rritje, nga 2.4% në maj në 2.7% në qershor, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tarifave të Trump mbi çmimet.
Miratimi i Trumpit për punën e tij ka rënë në 39%, tre pikë më poshtë se pas 100 ditëve të para në detyrë. 56% e qytetarëve nuk e miratojnë, ndërsa vetëm 6% mendojnë se “ditët më të mira të Amerikës po ndodhin tani”. Gjithashtu, 63% e të anketuarve deklaruan se vendi është “jashtë kontrollit”.
Tarifat e larta të vendosura nga administrata Trump perceptohen si të dëmshme për ekonominë nga shumica e të anketuarve: vetëm 26% besojnë se do ta bëjnë vendin më të begatë, ndërsa 42% mendojnë se do ta varfërojnë.
Edhe brenda vetë Partisë Republikane, mbështetja për tarifat mbetet e kufizuar – vetëm 32% e republikanëve mendojnë se duhen rritur.
Ekonomistët paralajmërojnë se rritja prej 3% e PBB-së këtë tremujor reflekton një rënie të madhe të importeve, jo një rritje të qëndrueshme të kërkesës së brendshme.
Shpenzimet e konsumatorëve po bien për shkak të normave të larta të interesit (aktualisht 4.5%), të cilat prekin më shumë familjet me të ardhura të ulëta. Ndërkohë, vetëm 29% e amerikanëve presin të jenë më mirë financiarisht pas një viti, një rënie nga 33% në sondazhin e mëparshëm në prill.
Në aspektin personal, vlerësimi i Trump si person ka rënë në 36%, ndërsa 54% kanë një opinion të pafavorshëm për të. 47% e amerikanëve mendojnë se ai është shumë i vjetër për të qenë president, dhe 51% shprehin shqetësim për aftësitë e tij njohëse.
Po ashtu, vlerësimi për zëvendëspresidentin JD Vance ka rënë në 34%, ndërsa ish-këshilltari Elon Musk ka humbur popullaritet, sidomos pas përplasjeve me Trump.
Në fund, ndarjet partiake mbeten të thella: vetëm 2% e demokratëve e vlerësojnë pozitivisht Trumpin, krahasuar me 81% të republikanëve dhe 31% të të pavarurve. Polarizimi i lartë dhe mungesa e optimizmit për të ardhmen ekonomike duket se do të jenë sfida kryesore për Trump në muajt në vijim.