Miliona amerikanë do të votojnë të martën për të vendosur nëse nënpresidentja Kamala Harris ose ish-presidenti Donald Trump do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i vendit. Anketat në prag të ditës së zgjedhjeve flasin për një garë të ngushtë, veçanërisht në një grup shtetesh fushëbetejë, që do të jenë çelësi për të vendosur fituesin.
Të dy kandidatët mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve të hënën në të njëjtën pjesë të Pensilvanisë, afërsisht në të njëjtën kohë, duke kaluar ditën e fundit të fushatës presidenciale në një shtet që mund të jetë vendimtar në zgjedhjet e sotme.
“Nesër është dita e zgjedhjeve dhe vrulli është në anën tonë”, u tha zonja Harris mbështetësve të saj të mbledhur në një fabrikë historike çeliku. “Fushata jonë ka prekur ambiciet, aspiratat dhe ëndrrat e popullit amerikan. Dhe ne e dimë se është koha për një gjeneratë të re udhëheqjeje në Amerikë”.
“Ne duhet të dalim të fortë”, shtoi zonja Harris. “…Ne do të fitojmë”.
Zoti Trump, duke iu drejtuar mbështetësve të tij në një arenë sportive, tha se një administratë tjetër e tij do të “fillonte shpërthimin më të jashtëzakonshëm ekonomik që bota ka parë ndonjëherë”.