Një shtetase e huaj, afroamerikane, me iniciale L.R, 37 vjeç, është paraqitur në komisariatin nr 1 të policisë për të kallëzuar për përdhunim kamarierin e një bari në Tiranë ku ajo kishte qëndruar disa orë rreth një javë më parë.
Policia menjëherë pas këtij kallëzimi ka mundur të bëjë arrestimin e të dyshuarit.
Në rajonin e policisë në momentin kur ka bërë kallëzimin shtetsja e huaj është pyetur pse nuk e ka denoncuar rastin me herët në momentin e ndodhjes së tij por ajo nuk ka dhënë shpjegime për arsyen e vonesës pasi sipas saj ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Paraditen e së premtes, në Komisariatin nr.1 është paraqitur një 37- vjeçare me shtetësi amerikane, e cila ka denoncuar një kamerier për marrëdhënie seksuale me dhunë. Në denoncimin e saj, shtetasja me iniciale L.R. shprehet se të premten, më datë 9 dhjetor, ka dalë në një prej bareve që ndodhet në Rrugën e Elbasanit, ku ka qëndruar për disa orë. Gjatë kësaj kohe, ajo thotë se ka konsumuar pije alkoolike që ka porositur vetë, por edhe disa gota i janë servirur nga kamerieri me iniciale F.A., i cili, sipas saj, herë pas here i afrohej dhe bisedonte me të.
Në momentin që ka dalë nga lokali dhe është nisur për në shtëpinë ku qëndron në Tiranë, që ndodhet jo shumë larg lokalit ku ajo kishte pirë, ka konstatuar se kamerieri ishte disa hapa pas saj. Por në kallëzim ajo ka deklaruar se për shkak të pijes, nuk ka ndaluar që të flasë me të, duke vijuar rrugën për në shtëpi. Në momentin që ka hapur derën e apartamentit për t’u futur brenda, i riu është futur me dhunë menjëherë pas saj dhe duke ushtruar dhunë fizike ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
“Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit nr.1 kanë arrestuar shtetasin F.A., 20 vjeç, pasi dyshohet se më datë 9 dhjetor ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, pa pëlqimin e shtetases L.R., 37 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila është paraqitur më datë 16 dhjetor te Komisariati nr.1 dhe ka bërë kallëzim. Në kallëzim pretendohet se, pas njohjes në një bar, ky shtetas e ka ndjekur deri në banesën e saj dhe më pas, duke ushtruar dhunë, ka kryer marrëdhënie seksuale me të”. (M.D/ SHUPLAKA)